Ndërlidhjet

Brukseli zyrtar ende nuk e ka informuar përfaqësuesin e tij në Kosovë, Piter Feith, se çfarë do të ndodhë pas 30 prillit me kontratën, të cilën diplomati holandez e lidhi me BE-në më 4 shkurt të vitit 2008. Njohësit e çështjeve evropiane flasin për mënyrat se si mund të ndikojë riorganizimi i shërbimit të jashtëm evropian në Kosovë.


Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, njëherazi Përfaqësues Civil Ndërkombëtar (ICR), ende nuk ka marrë asnjë sinjal të qartë për rolin e ardhshëm të kreut të këtij misioni në Kosovë.

Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Bashkimi Evropian është në përpjekje për ta jetësuar në terren planin për riorganizimin e shërbimit të jashtëm.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve hyn dhe roli i 10 emisarëve të tjerë evropianë në botë, në mesin e të cilëve edhe ai i diplomatit holandez, Piter Feith.

Bruksel
Në Bruksel ende nuk është qartësuar se a do t’i zgjatet mandati Feithit, i cili si ICR flet edhe në emër të shteteve që e kanë njohur dhe mbështesin pavarësinë e Kosovës, apo do të emërohet një emisar tjetër, i cili do të fliste vetëm me zërin e BE-së.

Megjithatë, deri më 30 prill, Feith do të jetë ai që do ta përfaqësojë BE-në në Kosovë. Zëdhënësja e tij, Julia Rojter, përmes një deklarate me shkrim sqaroi:

“Mandati aktual i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë vazhdon deri më 30 prill, 2011. Diskutimet në mes të Përfaqësueses së Lartë, baroneshës Eshton, dhe shteteve anëtare të BE-së mbi aranzhimet e ardhshme për praninë evropiane në Kosovë në frymën e Traktatit të Lisbonës, janë në një fazë të avancuar”.

Mandati Feithit, si Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, i ishte vazhduar në shkurt për dy muaj, për shkak të mungesës së një konsensusi në mesin e shteteve anëtare të BE-së, lidhur me praninë evropiane në Kosovë, e cila do të ishte në përputhje me Traktatin e Lisbonës.

Verena Knaus
Analistja Verena Knaus tha se mungesa e një qëndrimi unik të BE-së, prej së cilës pavarësinë e Kosovës e njohin 22, ndërsa kundërshtojnë ta njohin 5 shtete të tjera, ka krijuar situatën aktuale.

Knaus shfaqi shpresën se puna e përfaqësuesit të ardhshëm të BE-së në Kosovë nuk do të pasqyronte dallimet brenda BE-së për vendin në terren.

Kjo do të kërkonte një qëndrim të përgjithshëm, unik të BE-së mbi Kosovën, i cili kam frikën se nuk do të ndodhë derisa ato 5 shtete të mos kenë ndryshuar mendimin, me përjashtim të një ‘modus vivendi’...”, tha ajo.

Kohëve të fundit, nëpër mediat lokale në Prishtinë janë përmendur tre emra si përfaqësues të ardhshëm potencialë të BE-së në Kosovë: Stefan Lehne, Mirosllav Lajçak dhe së fundi ai i diplomatit italian, Fernando Xhentilini, për të cilin thuhet se do të vepronte si EUSR i përkohshëm deri në një vendim më konkret të BE-së, që do të merrej në muajin gusht.

Eksperti për çështje të integrimeve, Shenoll Muharremi, e vlerësoi joserioze qasjen aktuale të BE-së lidhur me politikën e saj të jashtme në Kosovë.

Ai theksoi rëndësinë për një emisar evropian, i cili do ta ndihmonte Kosovën në rrugën e saj të integrimit, e jo dikush që do të merrej me çështje politike.
BE-ja duhet ta trajtojë agjendën e Kosovës më shumë si politikë të zgjerimit sesa si politikë të jashtme e të sigurisë.

BE-ja duhet të fokusohet dhe agjendën e Kosovës ta trajtojë më shumë si politikë të zgjerimit sesa si politikë të jashtme e të sigurisë. Thjesht, ne si Kosovë kemi pritje që (BE-ja) ta dërgojë një përfaqësues të saj, i cili ka eksperiencë me vendet e zgjerimit të pestë dhe ka eksperiencë me reformat që janë të nevojshme për ta afruar Kosovën më afër Bashkimit Evropian”, tha Muharremi.

Një nga skenarët e mundshëm për emisarin e ardhshëm evropian në vend thuhet se është emërimi i dikujt, i cili do të ishte edhe Përfaqësues Special i BE-së, e në të njëjtën kohë do të udhëhiqte Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, ndërsa Feith do të mbetej Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, i mandatuar vetëm nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG