Ndërlidhjet

Kosova në disavantazh?!


Kryenegociatorët në bisedime

Kryenegociatorët në bisedime

Ndryshe nga të gjitha palët e përfshira në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit i është qasur në mënyrë shumë serioze këtij procesi, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Prishtinë.

Krenar Gashi, nga Instituti Kipred, thotë se këtë e reflekton edhe takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorit serb, Borisllav Stefanoviq, dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ku thuhet të jetë ‘hartuar një skenar në detaje për lëvizjet në të ardhmen si dhe për propozimet e ndryshme për dialogun’.

“Fatkeqësia qëndron në faktin se vetëm një palë ka politikë aktuale të zhvilluar, sa i përket këtij procesi".

Krenar Gashi
"Për shkak të një roli shumë pasiv të Brukselit, për shkak të një roli inekzistent të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mungesës së iniciativës nga ana e kosovarëve, ajo që dominon në diskursin publik, sa u përket diskutimeve, është ajo që diktohet në Beograd”.

“Me këtë gjë, Kosova po hyn në disavantazh karshi Beogradit në gjithë këtë proces, i cili, pa marrë parasysh se thirret si teknik, megjithatë ka konotacione politike”,
thekson Gashi.

Por, analisti Behlul Beqaj nuk mendon se takimi i fundit Stefanoviq-Tadiq është një shtim i seriozitetit të palës serbe për dialogun, sepse, sipas tij, po ky seriozitet ka qenë i pranishëm që nga fillimi në Beograd.

Sipas tij, Serbia vetëm po vazhdon dinamikën dhe caktimin e prioriteteve, të cilat i mundësojnë asaj përafrimin me Bashkimin Evropian.

Beqaj thotë se lëvizjet në Beogradin zyrtar në lidhje me dialogun, më shumë janë në favor të reflektimit në politikën e brendshme të Serbisë.

“Po merret një situatë në kuadër të kontekstit të trysnisë që po bëhet në Serbi, për ta ngritur nivelin e përgjegjësisë për çështje të hapura në dialogun me Kosovën. Unë mendoj se ky është vetëm një manovrim për ta mbajtur nivelin e pozitës dhe opozitës në Serbi në gjendjen në të cilën është dhe të mos akuzohet pushteti, gjoja se po bën lëshime në Kosovë”.

“Në anën tjetër, problemi i mirëfilltë apo esencial nuk është në këtë kuptim, se a po ngrihet përgjegjësia dhe serioziteti në Serbi, por pse ka mbetur joserioziteti i Kosovës karshi zgjidhjeve të problemeve të hapura në nivelin e fillimit të dialogut”,
thotë Beqaj.

Drejtuesi i ekipit serb në kuadër të dialogut, Borisllav Stefanoviq, ka deklaruar se “çfarëdo lëvizjeje e njëanshme në Kosovë mund të shkatërrojë gjendjen e brishtë të sigurisë’.

Analisti Gashi vlerëson se deklarata e Stefanoviqit e pason atë të shefit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, e cila, siç tha ai, ka qenë konfuze dhe e dëmshme. Sipas Gashit, deklaratat e de Marnakut dhe Stefanoviqit krijojnë përshtypjen se kanë qenë të koordinuara.

“Këto deklarata janë - të paktën ashtu duken nga shikimi prej Prishtinës - që të aludojmë se me Serbinë eventualisht do të duhej të flisnim edhe për çështje të tjera të ndjeshme, siç është veriu i Kosovës”.

“Përderisa veriu i Kosovës vazhdon të mbetet dhe të promovohet në gjithë botën nga Serbia si një konflikt i ngrirë dhe përderisa Bashkimi Evropian nuk e ka tendencën dhe iniciativën më të vogël që ta kthejë sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës, atëherë ne do të jemi në disavantazh konstant, kronik, karshi Serbisë”,
shprehet Gashi.

Analisti Beqaj vlerëson se deklarata e Stefanoviqit nuk ka bazë reale. Sipas tij, këtë e demantojnë 10 vjetët e kaluar, kur nuk ka pasur skenarë për veprime të njëanshme në veri të vendit.
Manovrimet janë logjike në rrethanat në të cilat është Serbia. Nuk është mirë që dialogun ta vlerësojmë jashtë kontekstit të zhvillimeve të brendshme të Serbisë.

“Kjo bëhet vetëm si segment i manovrimit që po bëhet karshi opozitës, e cila në një mënyrë po e fajëson (pozitën), karshi gjendjes së vështirë ekonomike, korrupsionit të shkallëzuar në Serbi dhe dështimit në kuadër të dinamikës në proceset e integrimeve evropiane”.

“Gjoja, pozita po bën lëshime kur ka të bëjë me çështjen e integritetit territorial të Serbisë. Do të thotë, manovrimet janë logjike në rrethanat në të cilat është Serbia. Unë prapë po e tërheq vërejtjen se nuk është mirë që dialogun ta vlerësojmë jashtë kontekstit të zhvillimeve të brendshme të Serbisë”,
deklaron Beqaj.

Analistët e çështjeve politike thonë se Kosovës i nevojitet një rol i shtuar në procesin e dialogut, si dhe një intensitet më i theksuar i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjithë këtë proces.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG