Ndërlidhjet

logo-print

Parregullsitë me barnat


Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Barnat e konfiskuara në barnatoret private nga ana e autoriteteve doganore kanë përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Konfiskimi, sipas zyrtarëve institucionalë, është bërë për shkak të prejardhjes së dyshimtë të këtyre barnave, derisa pacientët po trajtohen me to.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, thotë se ky institucion ka pasur një marrëveshje me Doganat e Kosovës, që barnat e konfiskuara t’iu dedikohen klinikave përkatëse brenda QKU-së.

Foto ilustruese
“Vitin e kaluar, por edhe në fillim të këtij viti, është pranuar një sasi e barnave që janë konfiskuar nga doganat. Ai material është konfiskuar, sepse nuk ka qenë i regjistruar dhe nuk ka pasur leje të importit”,
deklaron Fazliu për Radion Evropa e Lirë.

I vetmi kontroll që u është bërë barnave, Fazliu thotë se ka qenë afati i skadimit. Ndërsa, cilësia e tyre nuk është kontrolluar për shkak të mungesës së laboratorëve adekuatë.

“...fatmirësisht nuk kemi pasur ankesa nga klinikat apo edhe pacientët, se kanë pasur ndonjë efekt negativ këto barna”, shprehet Fazliu.

Por, farmacistët e kanë një tjetër mendim. Sipas tyre, numri i barnave të regjistruara në Kosovë është shumë i vogël, derisa kërkesat janë shumë më të mëdha. Arsyet e kontrabandës me barna i shpjegon farmacisti Visar Ademi:

“Në Kosovë ka kontrabandë të barnave, për shkak se është i regjistruar një numër i vogël i tyre në krahasim me rajonin. Për t’i shërbyer pacientët, neve na duhet t’i mbajmë ato barna”.

“Politikat shëndetësore duhet t’i bëjë Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Agjencinë Kosovare për Pajisje Medicinale (AKPM), dhe t’iu krijojë kushtet e punës farmacistëve. Ne si farmacistë, në këtë mënyrë, kemi siguruar barna vetëm për t’iu shpëtuar jetën pacientëve”,
thotë Ademi.

Zyrtarët institucionalë thonë se protesta e fundit e farmacistëve nuk i mbron interesat e pacientëve, por interesat individuale të farmacistit. Ademi jep një shpjegim për grevën 24-orëshe të farmacive, që zuri vend ditë më parë:
Janë 300 lloje të barnave që janë esenciale, e që nuk janë të regjistruara...

Zyrtarët institucionalë thonë se është interes personal; është gabim, sepse një ampulë është 50 centë, apo një nitroglycerinë 1,20 euro... Nuk është përfitim, por vetëm shpëtim jete. Janë 300 lloje të barnave që janë esenciale, e që nuk janë të regjistruara”, thotë ai.

Jeton Shala, udhëheqës i AKPM-së, thotë se secili produkt i plasuar në mënyrë joligjore, duhet të konfiskohet. Se si do t’iu ndihmohet farmacive që ato t’i kenë ilaçet që kërkohen në treg, është një çështje që duhet të diskutohet, shton ai.

Brenda këtij muaji jemi duke i parë të gjitha anekset ligjore... Asnjë prej këtyre udhëzimeve administrative nuk është i kompletuar dhe duhet të ndryshohen. E kemi rritur numrin e inspektorëve, në mënyrë që të jemi më të efektshëm”, thekson Shala për Radion Evropa e Lirë.


Konfiskimi, i paligjshëm

Kadri Bytyqi, nga Shoqata e Farmacistëve të Kosovës, e quan të paligjshme mënyrën e konfiskimit të mallit nga ana e doganave.

Këtë e kemi thënë edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ku komisionarët janë zotuar se do të merren me këtë çështje. Arsyeja është e thjeshtë – është e paligjshme. Nëse këto barna janë të paligjshme dhe nuk mund të shiten në barnatore private, si mund të jenë kualitative për QKUK-në, nëse nuk iu bëhet kontrolli nga laboratorët”, shprehet Bytyqi.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se memorandumi i nënshkruar mes drejtorit të QKU-së dhe atij të doganave ka urdhëruar që barnat e konfiskuara nga barnatoret private të dërgohen në QKU.
Nëse pronarët nuk kanë dëshmi për prejardhjen, ne e konfiskojmë mallin.

Nëse (barnat) kontrabandohen në rrugë dytësore, ne kemi të drejtë të ushtrojmë kontrolle. Nëse pronarët nuk kanë dëshmi për prejardhjen e tyre, atëherë ne e konfiskojmë mallin”, thekson Stavileci.

Në anën tjetër, Shkumbin Jusufi, farmacist, shpreh shqetësimin e tij lidhur me mungesën e barnave në treg. Ai thotë se nga këto mungesa më së shumti pësojnë pacientët.

“Shembull konkret është një substancë që quhet ‘natrium valtriat’për epilepsinë. Konsumi është i jashtëzakonshëm, e është e palicensuar në Kosovë”, thotë ai.

Sidoqoftë, nga dita e martë është ndërprerë përkohësisht marrëveshja mes QKUK-së dhe Doganave të Kosovës, që barnat e konfiskuara të dërgohen në spitale.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se është në dijeni për të gjitha këto parregullsi dhe se shumë shpejt do të aktivizohet laboratori brenda AKPM-së, ku do të bëhen analizat e cilësisë së barnave.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG