Ndërlidhjet

Regjistrimi i (pa)suksesshëm


Prishtinë - foto arkiv
Prishtinë - foto arkiv
Në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 1 prill.

Zyrtarët e Entit Statistikor të Kosovës dhe disa nga përfaqësuesit e serbëve të Graçanicës, në një debat të organizuar nga qendra mediale në Çagllavicë, kanë dhënë vlerësime të ndryshme sa i takon këtij procesi.

Përfaqësuesi i Entit Statistikor, Kadri Sojeva, e quajti të suksesshëm regjistrimin, ndonëse pranoi se ka pasur disa mangësi.

Regjistrimi është kryer me sukses, me gjithë disa të meta të vogla, thënë kushtimisht. Ka pasur njerëz, të cilët kanë hezituar. Ka pasur njerëz që kanë pritur diçka tjetër, por, megjithatë, regjistrimi ka përfunduar me sukses”, deklaroi Sojeva.

Nebojsha Periq, zyrtar nga Komuna e Graçanicës, foli për disa indikatorë që e kanë bërë procesin e regjistrimit të rezultojë, siç tha ai, i pasuksesshëm.

Nuk ka pasur konsensus politik në mes të vetë partive politike në Kosovë, ndërsa kemi pasur edhe përfaqësues që kanë bërë thirrje për bojkot të procesit. Para kësaj kemi pasur krizën e institucioneve, zgjedhjet e parakohshme... Pra, e gjithë kjo klimë politike nuk i është përgjigjur situatës”.

“Indikacioni i dytë është 'mbulesa territoriale' - kemi territore në veri të Kosovës ku regjistrimi nuk është zhvilluar, e madje as që ka filluar. Indikacioni i tretë, që është më i rëndësishëm, është bojkotimi i pjesshëm i komunitetit serb",
tha Periq.

Serbët e veriut kanë bojkotuar procesin e regjistrimit, përkundër afatit të shtyrë deri më 19 prill.

Rrahman Tara, zyrtar në Entin Statistikor të Kosovës, tha se aktualisht janë duke u bërë përgatitjet që procesi të fillojë të zbatohet në veri. Sipas tij, regjistrimin e popullsisë atje do ta bëjë organizata ndërkombëtare UNOPS.

“Ne kemi informata që në veri do të fillojë regjistrimi shumë shpejt - natyrisht jo me Entin e Statistikës, por atë do ta realizojë UNOPS-i”,
u shpreh Tara.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, nga Lista e Bashkuar Serbe, njëherësh deputete në Kuvendin e Kosovës, procesin e regjistrimit e quajti "tërësisht të papranueshëm".

"Procesi i regjistrimit do të duhej të përfshinte tërë popullatën serbe në tërë territorin e Kosovës. Regjistrimi i pjesshëm për ne është katastrofë, marrë parasysh realitetin që kemi përjetuar. Në Kosovë ndodhet vetëm një pjesë e serbëve, dy të tretat janë dëbuar”.

“Nëse serbët e mbetur regjistrohen ndaras, kjo do të shkaktojë një ballafaqim për bashkësinë ndërkombëtare dhe lidershipin shqiptar, si dhe një lloj përgjegjësie për ta se pse serbët si popull janë zhdukur
” tha Trajkoviq.

Edhe pse herë pas here kanë dalë shifra për numrin e deritashëm të të regjistruarve, Enti i Statistikave dhe Ministria e Administratës Publike nuk kanë dhënë shifra për rezultatet preliminare.

Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht janë duke u përpunuar të dhënat e regjistrimit dhe se shumë shpejt do të behën të ditura rezultatet. Këto rezultate pritet të dihen më së largu deri më 30 qershor.
XS
SM
MD
LG