Ndërlidhjet

Vërshime anketimesh


Shkup - foto arkivi
Shkup - foto arkivi
Pas publikimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në Maqedoni thuajse çdo ditë publikohen anketa mbi hulumtimin e opinionit publik. Drejtuesit e disa instituteve ankohen se partitë politike kanë degraduar punën e tyre, duke publikuar anketa paralele nga institutet e themeluara prej tyre. Sipas analistëve, anketat e shumta bëhen pasi partitë nuk kanë alternativa dhe programe për të ofruar para elektoratit.


Anketat mbi popullaritetin e partive politike janë bërë përditshmëri në Maqedoni. Varësisht nga rezultatet e tyre reagojnë edhe partitë politike, duke u kundërpërgjigjur po ashtu me anketa që favorizojnë pozicionin e tyre kundrejt anketave që pretendohet të jenë më objektive.

Anketa e fundit e Institutit për hulumtime sociologjike dhe juridiko-politike, që flet për një dallim shumë të vogël të besueshmërisë mes dy blloqeve politike maqedonase, por edhe atyre shqiptare, ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta.

Instituti në fjalë mbron të dhënat e publikuara, duke pretenduar se ato janë realizuar në bazë të metodologjisë, të cilën e përdor tanimë një kohë të gjatë.

“Ne, si institut, që 20 vjet realizojmë hulumtime rreth disponimit të qytetarëve mbi proceset zgjedhore në vend. Anketat realizohen në periudha të caktuara dhe është qesharake të pretendohet se pas hulumtimit të fundit qëndrojnë subjekte të caktuara politike”.

Në bazë të anketës së muajit qershor të vitit të kaluar, dallimi mes dy partive më të madha politike maqedonase sillej në rreth 7 për qind, pastaj dallimi mes tyre u zvogëlua në 4 për qind në anketën e realizuar në dhjetorin e kaluar, ndërsa në anketën e realizuar këtë muaj dallimi u ul në 2 për qind ”, thotë Emilija Simovska, udhëheqëse e anketës së fundit të Institutit për hulumtime sociologjike dhe juridiko-politike.

Edhe Edmond Ademi, drejtues i Institutit “Liberta”, mbron anketat e realizuara deri më tani, por kundërshton ato, pas të cilave “qëndrojnë parti të caktuara politike, të cilat përmes instituteve jorelevante reagojnë me kundër-anketa, për të minimizuar ato që nuk favorizojnë pozicionin e tyre në skenën politike”.

“Ka institute partiake, të cilat nëpër zyrat e partive i shkruajnë numrat e anketave, me qëllim që të amortizojnë përcaktimin apo paraqitjen reale të mbështetjes së partive politike apo të politikave të qeverisë aktuale te popullata”, thotë Ademi, duke shtuar se situata e krijuar me anketat, ka bërë që ato nga dita në ditë të humbin peshën dhe besimin e qytetarëve.

Paraqitja e instituteve partiake degradoi sferën e hulumtimeve publike dhe krijoi te popullata një bindje se nuk duhet t'iu besohet anketave. Tani, secili institut apo organizatë që ka qëllime të mira që ta prezantojë realitetin në publik, do të ballafaqohet me një situatë, ndaj së cilës do të dyshojnë qytetarët”, deklaron Ademi.

Sipas analistit Artan Sadiku, anketat janë rezultat i mungesës së alternativave dhe programeve të partive politike për të paraqitur para elektoratit, andaj përmes manipulimeve të ndryshme, shton ai, tentojnë të arrijnë te votat e tyre.

“Në një periudhë të këtillë parazgjedhore, vëmendja duhet të përqendrohet te qytetarët. Partitë duhet të sqarojnë alternativat dhe platformat e tyre reale para qytetarëve, e jo të fillojnë betejën e tyre përmes nxjerrjes së rejtingjeve të instituteve gjegjëse, që tanimë janë profilizuar si institute që e përkrahin njërën apo partinë tjetër politike”, thotë Artan Sadiku.

Lexoni edhe këtë:
Zgjedhjet, mundësi per t'u pasuruar
XS
SM
MD
LG