Ndërlidhjet

Vetvendosje: Truprojet e Thaçit ushtruan dhunë ndaj nesh


Lëvizja Vetvendosje ka akuzuar truprojet e kryeministrit Hashim Thaçi se kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve të saj gjatë një ligjërate që ka mbajtur shefi i qeverisë kosovare në Universitetin AAB në Prishtinë.

Përmes një njoftimi për media, Vetvendosje ka thënë se aktivistët e saj u nxorën nga salla ku mbahej ligjërata e Thaçit “duke u grushtuar dhe shqelmuar” nga truprojet e kryeministrit, pasi atij nuk i kanë pëlqyer pyetjet që i kanë bërë pjesëtarët e këtij subjekti politik.

Sipas Vetvendosjes, në ligjeratën e emërtuar, Plani i Zhvillimit Ekonomik pjesëtarët e saj e kanë pyetur ndër të tjera kryeministrin e Kosovës nëse “nisma për privatizimin e Postës, ndërtimi i autostradës e buxheti i vitit 2011 të jenë bërë pa pasur kurrfarë plani e strategjie ekonomike?”

Subjekti i tretë më i madhë politik i Kosovës vlerëson se reagimet e aktivistëve të saj të përcjella dhe me parullën, “Qeveria i ka hipur skijave”, çuan deri te reagimi i dhunshëm i truprojeve të Thaçit.

Ndërkaq reagimin e ashpër të Universitetit privat ku është mbajtur ky aktivitet i Thaçit, atij AAB, për Vetvendosjen “dëshmon edhe një herë se licenca e akreditimit është më e vlefshme sesa shpalosja e ideve, debatit dhe kritikës, siç i ka hije një universiteti.”
XS
SM
MD
LG