Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 35 mijë familje nën asistencë sociale


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Kosova vazhdon të përballet me gjendje të rëndë ekonomike sociale dhe nivel të lartë të varfërisë së skajshme. Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale konfirmojnë se numri i familjeve që përfitojnë nga ndihma sociale është mbi 35 mijë.


Në Kosovë janë rreth 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, thotë se viti 2011 ka shënuar ngritje shumë të vogël të familjeve që kanë nevojë për asistencë.

“Nuk kemi ndonjë rritje të madhe të shfrytëzueseve të asistencës sociale. Kemi mbi 35,245 familje, me 182 mijë anëtarë. Mjetet jepen nga Ministra e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thotë Gagjiqi.

Vështirësitë që ka kaluar Kosova gjatë luftës, shkatërrimi i ekonomive familjare si dhe largimi i punëtorëve nga puna gjatë viteve ’90, thuhet se kanë shkaktuar gjendjen e vështirë ekonomike, e cila është manifestuar me një shkallë të lartë të varfërisë në vend.

Situata ekonomike e familjeve kosovare vlerësohet të jetë vështirësuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, kur në tregun e Kosovës janë shënuar ngritje të çmimeve të produkteve elementare, ndërsa vlera e asistencës sociale ka mbetur e njëjtë.

Qeveria e Kosovës
Zëdhënësi i Ministrisë së Punës, Gagjiqi, thotë se as gjatë këtij viti nuk pritet të ketë rritje të ndihmë sociale.

“Në bazë të programit që ne kemi, nuk është paraparë të ketë ngritje për këtë vit. Në vitin e kaluar ka pasur ngritje të këtyre skemave, por për këtë vit nuk do të ketë. Për këtë kategori pritet të ketë rritje në vitet vijuese”,
shprehet Gagjiqi.

Përfaqësues të Sindikatave të Kosovës thonë se përballë gjendjes së rëndë socio-ekonomike të këtyre familjeve, institucionet vendore duhet të fokusohen në krijimin e një infrastrukture më të mirë sociale.

Alush Sejdiu, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, thotë:

“Skemat ekzistuese për familjet e varfra nuk mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së rëndë ekonomike që kanë këto familje”.

Kosova ka krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontributdhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifaj, thotë se institucionet e vendit duhet krijuar politika më të mirëfillta për familjet e varfra.

“Ekziston mundësia që në rishkimin e buxhetit në gjashtëmujorin e parë të bëhet diçka më shumë për këto kategori, për ta përmirësuar gjendjen e tyre. Por, për të gjitha këto duhet të bëhet një dialog”, thotë Arifaj.

Në hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme vendore thuhet se gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale në Kosovë reflektohet edhe me nivelin në rritje të pakënaqësisë së popullsisë, me standardin e tyre jetësor dhe me shtimin e disponimit të tyre për të migruar.

Lexoni edhe këtë:
Përjashtimi social
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG