Ndërlidhjet

Pafuqia përballë fletarrestimeve të Serbisë


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Serbia vazhdon me lëshimin e fletarrestimeve ndërkombëtare për qytetarët kosovarë, kryesisht për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Për shkak të mosanëtarësimit në Interpol, Kosova ende nuk mund të kërkojë shfuqizimin e fletarrestimeve, të cilat i konsideron politike.


Edhe një fletarrestim tjetër për një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të lëshuar nga Serbia. Tani bëhet fjalë për Shemsi Nuhiun, ndaj të cilit është lëshuar fletarrestimi në Zvicër, me kërkesë të Serbisë.

Raste tilla janë përsëritur vazhdimisht që nga viti ’99, ndërsa para disa kohe qenë bërë publikë emrat e 160 kosovarëve që gjenden në listën e Interpolit. Në mesin e tyre kishte edhe personalitete të larta politike kosovare.

Kosova nuk mund të kërkojë shfuqizimin e këtyre fletarrestimeve nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, meqë nuk është pjesë e saj. Në rastin Nuhiu, autoritetet kosovare po kërkojnë nga shteti zviceran mosekstradimin në Serbi.

Ehat Miftari, shef i Divizionit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, shpjegon më shumë:

“Për shkak se Kosova nuk është shtet anëtar i Interpolit, në një farë mënyre, nga ana legale jemi të pafuqishëm që këto fletarrestime të futen në Interpol. E vetmja mënyrë, me të cilën mund të veprojë Kosova është që institucionet e vendit t’i drejtohen veç e veç secilit shtet për t’u treguar që ato fletarrestime nuk janë valide dhe janë të lëshuara nga shtete jo kompetente”.


Autoritetet kosovare vazhdimisht thonë se shumica e fletarrestimeve, të cilat i ka dërguar Serbia në Interpol, kanë karakter politik.
Qeveria e Kosovës i është drejtuar sekretariatit të përgjithshëm të Interpolit, ku ka argumentuar se këto fletarrestime ndërkombëtare në shumicën e rasteve janë të ndikuara politikisht...


“Qeveria e Kosovës i është drejtuar sekretariatit të përgjithshëm të Interpolit, ku ka argumentuar se këto fletarrestime ndërkombëtare në shumicën e rasteve janë të ndikuara politikisht dhe nuk kanë kompetencë për të lëshuar fletarreste të tilla për vepra nëse janë kryer ose dyshohet se janë kryer në Kosovë
”, deklaron Miftari.

Institucionet e Kosovës kanë aplikuar në Interpol (Organizata Ndërkombëtare e Policisë), që të kenë qasje në të dhënat rreth ndjekjes të personave të kërkuar. Por, as kjo kërkesë nuk është përfillur.

Policia e Kosovës aktualisht bashkëpunon me Interpolin vetëm përmes misionit të OKB-së, i cili ende mbetet i vetmi mision kontaktues me organizatën policore botërore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, shpjegon procedurat që ndiqen aktualisht në këtë polici.

“Realisht, ne kemi zyrtarët policorë që punojnë në sektorin e Interpolit, bashkëpunimi është jashtëzakonisht i mirë. Bashkëpunimi ende kryhet përmes stafit ndërkombëtar, meqë ne ende nuk jemi anëtar i Interpolit. Bashkëpunimi bëhet përmes EULEX-it dhe EULEX-i përmes UNMIKU-ut”
, thekson Kelani.

Mosnjohja nga të gjitha vendet anëtare të Interpolit i pamundëson Kosovës anëtarësimin, rrjedhimisht edhe kërkesat për shfuqizimin e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia mund t’u bëhen shteteve veç e veç, por jo Interpolit.
XS
SM
MD
LG