Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se forcat e Muamar Gadafit mund të jenë duke përdorur bomba thërrmuese në sulmet kundër civilëve.
Ajo tha se raportet se bomba të tilla po përdoren dhe në luftimet me rebelët e rrethuar në Misrata janë shqetësuese.
Kjo është hera e parë që një zyrtar amerikan artikulon akuza të tilla.
Libia i ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorur bomba thërrmuese, të cilat janë të ndaluara në mbi 100 vende të botës.
Duke folur për zhvillimet e tjera në Libi Klinton ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve amerikanë të ndaluar nga forcat qeveritare. Në mesin e të paraburgosurve janë së paku dhe dy gazetarë.