Ndërlidhjet

MekKein i quan heronj rebelët libianë



Senatori amerikan Xhon MekKein ka arritur në Bengazi për bisedime me rebelët libianë që synojnë rrëzimin e Muamer Gadafit.

MekKein citohet të ketë thënë se "rebelët janë heronjtë e mi". Senatori veteran është politikani më i lartë amerikan që viziton zonat e kontrolluara nga kryengritësit libianë.

Bengazi është qendra kryesore e rebelëve libianë në lindje të vendit, që nga fillimi i protestave anti-Gadafi në mes të muajit shkurt.

MekKein ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm në Kongres për ndërhyrjen ushtarake në Libi.

Ai ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të riangazhohen në luftën kundër Gadafit, pasi aleatët e tjerë në NATO nuk kanë kapacitetet ushtarake amerikane.

Në 4 prill Shtetet e Bashkuara ia dorëzuan NATO-s kontrollin e operacioneve që synojnë zbatimin e rezolutës së OKB-së. Kjo e fundit ka kërkuar vendosjen e zonës së ndalim fluturimit dhe mbrojtjen e civilëve libianë nga sulmet e forcave të Gadafit.

Të enjten shefi i Pentagonit, Robert Gejts tha se presidenti Obama ka miratuar përdorimin e aeroplanëve luftarakë pa pilotë në sulmet në Libi.

Aeroplanët janë përfshirë në operacionet e 24 orëve të fundit.
XS
SM
MD
LG