Ndërlidhjet

Sa respektohet zinxhiri komandues i policisë?


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe një qytetar janë lënduar mbrëmë pas përfundimit të ndeshjes së basketbollit ndërmjet ekipit “Sigal Prishtina” dhe ekipit serb nga Mitrovica, “Bambi”. Ndeshja është zhvilluar në Prishtinë dhe ka përfunduar me rezultat 80 me 73 në favor të ekipit “Sigal”.

Megjithatë, incidenti ka shpërthyer pas përfundimit të ndeshjes, gjatë një përplasjeje midis njësitit të forcave speciale të policisë nga rajoni i Mitrovicës dhe tifozëve të ekipit “Sigal Prishtina”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë të ditur se janë dëmtuar pesë vetura zyrtare dhe tri private.

Kelani ka thënë se të gjithë tifozët, gjatë daljes, kanë filluar me fyerje dhe pas asaj ka ardhur deri tek incidenti, por nëpër pamjet televizive shihet se përplasja fillon brenda në sallë ku sapo kishte përfunduar ndeshja dhe vërehen pjesëtarët e policisë duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës.

Megjithatë, policia ende nuk ka dhënë sqarime për njoftimet, se pjesëtarët serbë të policisë, pa marrë urdhra nga eprorët e tyre, kishin qenë ata që kishin reaguar ndaj tifozëve, për shkak se ishin ndier të fyer.

Zyrtarët policorë kanë thënë se ende nuk dihet nëse është respektuar zinxhiri komandues nga pjesëtarët e policisë. Drejtoi i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka deklaruar se hetimet për të vërtetuar nëse është shkelur zinxhiri komandues, kanë filluar.
...të hetohet se çka ka ndodhur me simpatizantët e basketbollit, por edhe cilat janë lëshimet dhe keqtrajtimet nga ana e policisë.


“Kam kërkuar që të hetohet se çka ka ndodhur me simpatizantët e basketbollit, por edhe cilat janë lëshimet dhe keqtrajtimet nga ana e policisë. Në të dyja anët, nëse gjej që ka pasur shkelje të ligjit, apo shkelje të procedurave tona të brendshme, do të ndërmarr masa për të dyja palët”, ka deklaruar Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka pohuar se ky rast është ende në fazën e hetimeve. Sipas tij, Policia e Kosovës është profesioniste dhe pavarësisht cilit etnitet i takojnë, pjesëtarët e saj duhet të respektohen.

Bajram Rexhepi
“Natyrisht që zinxhiri komandues respektohet dhe kjo është çështje operative se cila njësi mbështetëse prej cilës pjesë shkon".

"Këtu nuk ka asgjë të keqe dhe as nuk ka lidhje se ka pasur baza etnike, për arsye se në regjionin e Mitrovicës janë 79 pjesëtarë të policisë speciale, prej tyre 10-11 janë serbë, dy boshnjakë, të tjerët janë shqiptarë. Prandaj, policët janë profesionistë që duhet shikuar si policë, e jo cilit etnitet i takojnë”,
ka theksuar ministri Rexhepi.

Megjithatë, drejtori i Policisë, Maliqi, ka insistuar se zinxhiri komandues është respektuar.

Po unë me përgjegjësi mund të them se ka respektim të zinxhirit komandues. Aty ku ne gjejmë se nuk ka respektim të zinxhirit komandues, me siguri që i kemi procedurat tona të brendshme disiplinore që i iniciojmë ndaj të gjithë atyre".

"Në rast se këtë komponent e humbin, atëherë ne nuk mund të flasim se punët tona do të mund t’i kryejmë me efikasitet të plotë dhe në harmoni me ligjin. Është e domosdoshme që të respektohet zinxhiri komandues dhe hierarkia”,
është shprehur Maliqi.

Në pamjet e disa televizioneve vendore, shihet qartazi njëri nga zyrtarët e lartë të policisë duke kërkuar sqarime nga kolegët e tij se me urdhër të kujt kishin ndërhyrë.

Mosrespektimi i zinxhirit komandues midis policëve në veri të vendit dhe qendrës komanduese ka qenë edhe më parë temë diskutimesh, posaçërisht gjatë incidenteve të vitit 2009 në veri të Mitrovicës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG