Ndërlidhjet

Stefanoviq: Jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka



Ekipi negociator i Serbisë nuk i largohet mundësisë që të bisedohet për gjithçka në bisedimet me Kosovën, ka thënë Borko Stefanoviq, shef i ekipit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën.

"Ne jemi të lirë të bisedojmë për çdo gjë dhe nga unë kurrë nuk do të dëgjoni: Jo, kjo është absolutisht e papranueshme dhe për këtë s’mund të flasim. Mendoj se edhe pala tjetër duhat t'ia përshtatë qasjen kërkimit të zgjidhjeve, e jo të synojë konfirmimin tonë për të ashtuquajturën pavarësi të tyre, sepse atë kurrë nuk do ta fitojë", ka thënë kryenegociatori serb.

Në një intervistë për gazetën "Blic", Stefanoviq ka shtuar se çështja e statusit përmbahet në çdo temë që është hapur në bisedimet.

“Deri tash secila palë i përmbahet pikëpamjes së saj për statusin, por problemi lind atëherë kur njëra palë, kryesisht ajo e Prishtinës, insiston që t’a konfirmojmë pikëpamjen e tyre për statusin. Puna jonë në këtë proces nuk është që përmes zgjidhjeve të ndërtojmë strukturën e të ashtuquajturës pavarësi të tyre, por t’i zgjidhim problemet konkrete përmes parimeve dhe standardeve evropiane”, ka thënë Stefanoviq.

"Në një mënyrë të çuditshme vërtetohet se ata, të cilët më së shumti kanë pasur frikë nga bisedimet për statusin, tash më së shumti flasin për të. Nga ana tjetër, porositë nga e kaluara na mësojnë se për shkak të qasjes së tillë, bisedimet e mëhershme kanë qenë të pasuksesshme", ka shtuar kryenegociatori serb.

Sipas tij, në bisedimet me palën kosovare, çështjet më kontestuese janë ato të vulave, të telekomunikimeve dhe të energjisë elektrike.

Stefanoviq ka thënë se shpreson që deri në fund të këtij viti apo në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do të zgjidhen disa nga çështjet më të rëndësishme, që pastaj, siç ka thënë, të mund të "hyhet në thelbin e rregullimit të marrëdhënieve" të Beogradit dhe Prishtinës.
XS
SM
MD
LG