Ndërlidhjet

Stefanoviq: Mund të bisedojmë edhe për ndarjen e Kosovës


Borko Stefanoviq
Borko Stefanoviq
Ekipi negociator i Serbisë nuk i largohet mundësisë që të bisedojë edhe për ndarjen e Kosovës, ka thënë Borko Stefanoviq, shef i ekipit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën.

"Ne jemi të lirë të bisedojmë për çdo gjë dhe nga unë kurrë nuk do të dëgjoni: Jo, kjo është absolutisht e papranueshme dhe për këtë s’mund të flasim. Mendoj se edhe pala tjetër duhet t'ia përshtatë qasjen kërkimit të zgjidhjeve, e jo të synojë konfirmimin tonë për të ashtuquajturën pavarësi të tyre, sepse atë kurrë nuk do ta fitojë", ka thënë kryenegociatori serb.

Në të kaluarën, Beogradi nuk është deklaruar për mundësinë nëse do të mbështeste ndarjen e Kosovës. Qeveria në Prishtinë vazhdimisht ka ripërsëritur se e hedh poshtë një mundësi të tillë, duke këmbëngulur se Kosova do të mbetet brenda kufijve aktualë. Prishtina, gjithashtu, ka përjashtuar mundësinë që çështja e statusit të jetë temë e bisedimeve me Beogradin.

Në një intervistë për gazetën "Blic", Stefanoviq ka shtuar se çështja e statusit përmbahet në çdo temë që është hapur në bisedimet.

“Deri tash secila palë i përmbahet pikëpamjes së saj për statusin, por problemi lind atëherë kur njëra palë, kryesisht ajo e Prishtinës, insiston që ta konfirmojë pikëpamjen e vet për statusin. Puna jonë në këtë proces nuk është që përmes zgjidhjeve të ndërtojmë strukturën e të ashtuquajturës pavarësi të tyre, por t’i zgjidhim problemet konkrete përmes parimeve dhe standardeve evropiane”,
ka theksuar Stefanoviq, duke shtuar se:

"Në një mënyrë të çuditshme vërtetohet se ata, të cilët më së shumti kanë pasur frikë nga bisedimet për statusin, tash më së shumti flasin për të. Nga ana tjetër, porositë nga e kaluara na mësojnë se për shkak të qasjes së tillë, bisedimet e mëhershme kanë qenë të pasuksesshme".


Sipas Stefanoviqit, në bisedimet me palën kosovare, çështjet më kontestuese janë ato të vulave, të telekomunikimeve dhe të energjisë elektrike.

Stefanoviq ka thënë se shpreson që deri në fund të këtij viti, apo në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, do të zgjidhen disa nga çështjet më të rëndësishme, që pastaj, siç ka thënë, të mund të "hyhet në thelbin e rregullimit të marrëdhënieve" të Beogradit dhe Prishtinës.(v.p.)
XS
SM
MD
LG