Ndërlidhjet

Plagët e pashëruara

  • RFE /RL

Sarkofagu në Çernobil

Sarkofagu në Çernobil

Natalia Çurikova, një nga punonjëset e shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, ka qenë nxënëse 14-vjeçare duke jetuar në Kijev, në kohën kur ka ndodhur shpërthimi në centralin bërthamor të Çernobilit, 25 vjet më parë.

Çurikova ndan përjetimet e asaj kohe me dhomën qendrore të lajmeve të Radios Evropa e Lirë.

Një çerek shekulli më parë, 14-vjeçarja, Natalia Çurikova, ishte duke e shijuar natyrën, një ditë pas tragjedisë së Çernobilit, pa e ditur se çdo frymëmarrje përmbante rrezatim të dëmshëm.

“Ishte ditë shumë e nxehtë, ditë shumë e mirë dhe shumica e njerëzve do ta kalonin jashtë. Normalisht, familja ime nuk ishte përjashtim”,
kujton Çurikova.

Çdo gjë ishte shumë e këndshme deri te një telefonatë pak më vonë që e la njerkun e saj të shqetësuar.
Natalia Çurikova me njerkun dhe nënën e saj.

“Ai m’u drejtua mua duke më thënë, shiko, të gjithë duhet të pastrohemi. Unë i thashë, pse? Unë dua të shkoj në shtrat, sepse jam e lodhur. Ai ma ktheu, shiko duhet të pastrohesh, sepse ka pasur një shpërthim në një central bërthamor, jo shumë larg nga Kijevi, ndërsa ne duhet të marrim disa masa kujdesi. Kjo ishte hera e parë kur dëgjova emrin e Çernobilit, si dhe ishte hera e parë që dëgjova për rrezatimin”
, thotë Çurikova.

Aksidenti vdekjeprurës në centralin bërthamor më 26 prill të vitit 1986 lëshoi rrezatim tejet të madh në ajër, duke helmuar miliona dhe duke detyruar largimin e rreth 300 mijë personave.

Mijëra fëmijë më pas lindën me defekte apo komplikime, si p.sh. me sëmundje kardiake gjenetike, ndërsa shkencëtarët presin që edhe mijëra të tjerë mund të vdesin nga kanceri që shkaktohet nga rrezatimi.

Pak ditë para 25-vjetorit të këtij shpërthimi, zonën e Çernobilit e ka vizituar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ku kërkoi standarde të reja ndërkombëtare që mbajnë përgjegjëse shtetet për sigurinë e energjisë bërthamore.

“Ne kemi nevojë për standarde ndërkombëtare për ndërtim dhe një marrëveshje që garanton sigurinë publike, transparencë dhe ndan informatat e nevojshme mes të tjerash. Le të bëhet kjo trashëgimia jetëgjatë e Çernobilit”,
tha sekretari Ban Ki Mun, gjatë qëndrimit në Ukrainë.

Transparenca, megjithatë, nuk ishte në agjendën e kohës sovjetike në Ukrainë, kur ndodhi tragjedia e Çernobilit. Familja e Çurikovës mori vesh për shpërthimin për shkak të lidhjeve që kishte njerku i saj me ushtrinë.

Në të njëjtën kohë, jo pak thashetheme u shpërndanë për mënyrën e të ushqyerit, që në fund, edhe pse u vërtetuan jo efektive, pushteti komunist i kohës nuk i ndalonte ato.

“Atëherë Unioni Sovjetik e kuptoi se duhet të thotë diçka, sepse thashethemet ishin përhapur. Kështu ata nxorën të ashtuquajturit ekspertë në televizion duke thënë se doza të vogla të rrezatimit i bëjnë mirë shëndetit të miut, prandaj të njëjtat padyshim që janë mirë edhe për shëndetin e njeriut”,
tregon Çurikova.

Pavarësisht kësaj, paniku ishte i shpërndarë në të gjitha anët. Aq shumë kishte shqetësim rreth radioaktivitetit sa atë kohë situata kishte edhe nofkën e saj, “radiofobia”.

Fëmijët që ishin në Çernobil atëbotë u bënë subjekt i një fushate ndërkombëtare që kishte për qëllim të ofrojë trajtime mjekësore të standardeve botërore.

Natalia Çurikova me kohë iu bashkua një grupi të kësaj fushate ndërkombëtare, e cila më pas shkoi në Australi, udhëtim ky që e detyroi atë të ndahet nga diçka që e kishte shumë për zemër.

“Menjëherë sa arritëm, na dërguan në një objekt mjekësor për të matur nivelin e rrezatimit, ndërsa rrobat që i kishim veshur duhej të largoheshin, sepse mbanin sasi të mëdha rrezatimi. Atëkohë kisha një bluzë të kaltër, me të cilën u detyrova të ndahesha”, thotë Natalia Çurikova.

Ndarja nga gjërat personale ishte vetëm fillimi. Në fund, viktimat e Çernobilit duhej të ndaheshin nga shumë më tepër, derisa disa prej tyre humbën edhe jetën për shkak të katastrofës. (a.h.)

XS
SM
MD
LG