Ndërlidhjet

Premtimet për ekonomi, joreale


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Sikur në të gjitha proceset zgjedhore, edhe kësaj radhe partitë politike kanë filluar hartimin e programeve zgjedhore për të premtuar para elektoratit “prosperitet apo hapje të vendeve të punës, zhvillim të hovshëm ekonomik dhe mirëqenie sociale për çdokënd”.

Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, edhe kësaj radhe ofertat e partive do të mbeten vetëm në letër, pasi, sikurse deri më tani, asgjë nuk do të realizohet nga premtimet nëpër mitingje, apo në përurime të punimeve që sot e kësaj dite nuk kanë parë fundin e tyre.

Duke komentuar hapin e fundit të Qeverisë, e cila ditëve të fundit kryeqendrën e Maqedonisë e ka shndërruar në poligon të punimeve, jo të atyre kapitale, por të meremetimit të rrugëve, Nehat Ramadani, ligjërues i ekonomisë, thekson:

“Është një element i ulët politik që tashmë qytetarët e kanë absorbuar dhe nuk mendoj që këto investime të vogla infrastrukturore do të jenë përcaktuese për votën e qytetarëve, në këtë rast mendoj edhe për votën e shqiptarëve”.

Vanço Uzunov, njohës i zhvillimeve ekonomike dhe profesor universitar, thotë se besimi ndaj partive po shënon rënie për shkak të veprimit të tyre manipulues, në veçanti me sferën më të ndjeshme, atë të ekonomisë.

“Partitë deri më tani, në mënyrë perfekte kanë manipuluar me premtimet duke i përdorur ato si argumente para se t’i fitojnë zgjedhjet, por kur të vijnë në pushtet, atëherë vendosin prioritete tjera”
, thotë Vanço Uzunov.

Sipas tij, çështjet ekonomike janë komplekse. Ekonomia zhvillohet duke pasur për bazë faktorë të shumtë, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm dhe gjithçka tjetër mund të vlerësohet si manipulim klasik me qytetarët për të përfituar politikisht.

Marjan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike, thotë se çdo parti politike që pretendon pushtetin, duhet të përgjigjet në disa çështje konkrete që, sipas tij, janë më me prioritet për qytetarët.

“Si do të punojnë për barazinë mes qytetarëve? Çfarë do të bëjnë për uljen e varfërisë? Si do të veprojnë për rritjen e kualitetit të shërbimeve publike dhe çfarë do të bëjnë për uljen e papunësisë?”, pyet Nikollov.

Ekonomia e Maqedonisë edhe për një kohë të gjatë nuk do të lëvizë nga niveli i tashëm, vlerëson Nehat Ramadani, duke hedhur poshtë pretendimet e partive që do të bëjnë mrekulli në rast se i fitojnë zgjedhjet.

Ramadani thotë se udhëheqësit e partive duhet të jenë të sinqertë para qytetarëve, kur flasin për perspektivat ekonomike të vendit.

“Maqedonia do të ketë një rritje ekonomike mjaft të ulët, krahasuar me të gjitha shtetet e rajonit, por duke pasur edhe problemet politike, me të cilat ndeshet Maqedonia me të gjithë fqinjët e saj, aq më tepër me çështjen e emrit, nuk pritet që do të ketë një zhvillim të hovshëm ekonomik të paktën edhe në garniturën e ardhshme qeverisëse, pavarësisht se cila do të jetë ajo”,
vlerëson Ramadani.
XS
SM
MD
LG