Ndërlidhjet

Pashkët: Festë e paqes dhe pajtimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Festa e Pashkëve u shënua në Prishtinë, me Meshën e Ringjalljes në Katedralen e së Lumes Nëna Terezë në Prishtinë. Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, i cili e udhëhoqi meshën, tha se mesazhi i Pashkëve bart në thelbin e vet porosinë për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Ai porositi se përgjegjës për paqen dhe dashurinë në Kosovë duhet të jenë vetë qytetarët, por edhe udhëheqësit.


Ndezja e qiriut të Pashkëve shënoi mbrëmë fillimin e Meshës së Ringjalljes në Katedralen e së Lumes Nëna Terezë në Prishtinë, të cilën e udhëhoqi ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Ai me këtë rast tha se e falënderon Zotin për mundësinë që festën e Pashkëve ta shënojë bashkërisht me besimtarët katolikë, pas agjërimit kreshmor dhe treditëshit të shenjtë.

“Me zemër të pastër dhe plotë gëzim, mund t’i bashkohemi sonte klithjes së të gjithë të krishterëve të botës; haleluja, haleluja, Krishti është ngjallur. Në mënyrë të veçantë, dëshiroj që ta falënderoj Zotin, që sonte i njëjti gëzim shpërthen në zemrat e të gjithë besimtarëve tanë, në të gjitha kishat tona, të Kosovës, por edhe te besimtarët tanë në diasporë dhe në vende të ndryshme të botës, ku janë të përcjellë nga priftërinjtë tanë dhe sonte i luten Zoti shqip”,
tha Dodë Gjergji.

Gjatë meshës, ipeshkvi Dodë Gjergji iu lut Zotit që ta bekojë, ta ruajë dhe ta mbushë me paqe e dashuri popullin e tij në Kosovë, që, siç u shpreh ai, “është populli më i vuajtur ndër shekuj dhe që ka përjetuar padrejtësi të shumta dhe të shpeshta”.

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë, ku u mbajt Mesha e Ringjalljes...

Ndërkaq për Radion Evropa e Lirë ai ipeshkvi Dodë Gjergji tha se dëshiron që porosia e festës së Pashkëve për popullin e Kosovës dhe udhëheqësit e tij, të jetë porosi paqeje.

“Sigurisht që mesazhi i Pashkëve bart në thelbin e vet porosinë për paqe, dashuri, pajtim, falje dhe kthesë në një jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë. Së këndejmi edhe të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh , ata që na udhëheqin apo ne që lejojmë të udhëhiqemi, duhet të kemi të njëjtat përgjegjësi, që të bëhemi bijtë e dashurisë dhe të paqes”,
deklaroi për Radion Evropa e Lirë ipeshkvi dodë Gjergji.

Ndërkaq, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Shan Zefi, tha se festa e Pashkëve, duhet t’ua rikujtojë të gjithë njerëzve se duhet t’i kultivojnë vlerat njerëzore.

“Në mënyrë solemne kremtohet vigjilja e Pashkëve, vigjilja e ringjalljes së Krishtit, një shpresë e madhe për njerëzimin. Ju e dini se në Kosovë kemi të bëjmë me, si të themi, degradimin e vlerave në shoqëri në përgjithësi, madje edhe në familje dhe te personat. Prandaj, me këtë festë, dëshiroj vetëm të them se megjithatë ia vlen të luftohet për vlerat”, u shpreh Shan Zefi.

Ndryshe, në meshën e mbrëmshme në Katedralen e së Lumes Nëna Terezë në morën pjesë disa qindra besimtarë katolikë.

Robert Përlaska tha se ishte i gëzuar për këtë festë, siç e quajti ai të paqes:

“Kjo natë sjell një ringjallje shpirtërore të çdonjërit. Si të themi, është festë e paqes”.

Ngjashëm u shpreh edhe Andrea Lekaj:

“Kjo festë simbolizon rinisjen e një jete të re dhe ringjalljen e njeriut në të gjitha aspektet, si në mënyrën shpirtërore ashtu edhe në aspektin fizik. Atëherë, porosia ime për të gjithë është që të nisim një jetë të re, të ringjallemi dhe të rifreskohemi me jetën tonë”.

Ndërkaq, Ndrec Preqi tha se festa e Pashkëve duhet t’i motivojë njerëzit që të jenë më optimistë.

“Vijmë që ta festojmë si festën më të madhe dhe e konsiderojmë që kjo është ditë e ringjalljes. Kjo është ditë që njerëzit t’i rrisin shpresat e veta dhe të mos jenë pesimistë, sepse nuk përfundon gjithçka me vdekjen dhe se mbi vdekjen ka ngadhënjyer jeta”, tha Preqi.

Sidoqoftë, festa e Pashkëve është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave tjera që kremtojnë, siç thuhet, ringjalljen e Jezusit të Nazaretit, që, sipas Besëlidhjes së Re, kishte ndodhur tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Festa e Pashkëve shënohet nga besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë.
XS
SM
MD
LG