Ndërlidhjet

Bajrami: Amandamentimi i jep fund pavarësisë së mbikëqyrur


Arsim Bajrami (Foto nga arkivi)

Arsim Bajrami (Foto nga arkivi)

“Përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur, në mënyrë që prania civile ndërkombëtare t’i bartë edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, jeni caktuar kryesues i Komisionit për ndryshime kushtetuese në Kosovë. Çfarë parashihet, në fakt, me këto ndryshime kushtetuese?

ARSIM BAJRAMI
Tre vjet pas pavarësisë dhe pas implementimit të Kushtetutës së Kosovës janë pjekur kushtet politike që të rishqyrtohet Kushtetuta e Kosovës në shumë segmente dhe mendoj se po fillon një proces i reformave të gjithanshme, të cilat kanë tri qëllime kryesore.

Qëllimi i parë është që të bëjmë një reformë substanciale sa i përket institucionit të presidentit për të shkuar në një zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit apo rreth një praktike presidenciale të zgjedhjes së presidentit.

Segmenti i dytë është që të plotësohet shteti i Kosovës me qeverisje - në kuptimin që të tërhiqet qeverisja ndërkombëtare në shumë sektorë dhe të fuqizohet në aspektin kushtetues Kosova përmes kompetencave të reja të organeve.

Dhe, segmenti i tretë është që, në fakt, të krijohet një bazë e mirë kushtetuese për reformimin e plotë të sistemit zgjedhor duke hapur mundësinë që në Kosovë të hapen më shumë zona, sepse në zgjedhjet e kaluara sistemi me një njësi zgjedhore ka reprodukuar mjaft pengesa dhe mjaft shkelje, të cilat seriozisht kanë cenuar integritetin e zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
A po kalon Kosova në sistemin presidencial?

ARSIM BAJRAMI
Mendoj se jo. Mendoj se nuk janë pjekur ende kushtet. Kosova nuk ka një stad demokratik që të kalojë në një sistem të pastër presidencial, sepse sistemi presidencial është një formë e kualifikuar e demokracisë, apo një demokraci me një tranzicion të përfunduar. Ne jemi në fillet e tranzicionit, por me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, ne po i balancojmë pak pushtetet. Kjo për shkak se edhe kur është shkruar Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pozita e presidentit ka qenë asimetrike - edhe pse i zgjedhur nga Parlamenti, edhe pse një president parlamentar ka pasur goxha kompetenca, madje kompetenca që kanë tejkaluar kompetencat e shumë presidentëve të rajonit që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli.

Me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit tani ky sistem po pajtohet plotësisht me fuqinë kushtetuese apo me kompetencat e presidentit që janë mjaft të avancuara dhe kanë edhe elemente ekzekutive. Kështu që, Kosova vazhdon të qeveriset me një sistem parlamentar, por me një president plotësisht të ndarë nga Parlamenti dhe një president, i cili tani ka kushte të jetë plotësisht në funksion të unitetit të popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të përfshihen ndryshime tjera në këto reforma, përveç nenit që flet për zgjedhjen e presidentit dhe Ligjit për zgjedhje, duke marrë parasysh që presidentit i jepen më shumë kompetenca? A do të përfshijë kjo edhe ligje të tjera dhe nene të tjera të Kushtetutës?

ARSIM BAJRAMI

Reforma kushtetuese nuk do të prekë vetëm institucionin e presidentit dhe nuk do të merret vetëm me ndërrimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, por domosdoshmërish do të pretendojë të ndryshojë edhe ato dispozita, të cilat nuk janë treguar shumë funksionale.

E theksova, përmes ndryshimeve kushtetuese do të mundohemi t’i japim fund pavarësisë së mbikëqyrur në mënyrë që prezenca civile ndërkombëtare t’i bart edhe ato kompetenca që i ka ndalur dhe të kalojë në një rol monitorues.

Përpos ndryshimeve kushtetuese, komisioni, të cilin unë e kryesoj, ka mandat të punojë edhe në dy ligje: ligji i parë është Ligji për zgjedhjen e presidentit, për shkak se kemi nevojë për një ligj për të shkuar në zgjedhjet presidenciale dhe ne do ta ndryshojmë edhe ligjin aktual për presidentin, sepse zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit implikon një pozitë të re të presidentit.

Dëshiroj të theksoj se sa i përket të drejtave të pakicave të përcaktuara me Pakon e Ahtisaarit, nuk do të udhëhiqemi nga një motiv i zvogëlimit të tyre, sepse kjo çështje është diskutuar mjaft me rastin e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova ka dhënë garanci përtej standardeve ndërkombëtare si shtet. Ne nuk do të insistojmë që ta sfidojmë Pakon e Ahtisaarit në segmentin e të drejtave të pakicave dhe do të insistojmë që gjithsesi pakicat të jenë pjesë e reformës kushtetuese.

E dini që na duhet një pajtim, sepse miratimi i Kushtetutës, përpos që kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, kërkon edhe dy të tretat e pakicave. Kështu që, pa një pëlqim ndëretnik nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nuk do të udhëhiqemi nga motivi i zvogëlimit të të drejtave të pakicave, por në një periudhë të drejtat e pakicave duhet të vendosen në kornizat e standardeve evropiane.

Kjo për shkak se aktualisht të drejtat e tyre tejkalojnë standardet evropiane dhe është në interesin e pakicave që ato t’u përshtaten rregullave të demokracisë, rregullave “një qytetar-një votë” dhe të participojnë në zgjedhje - në jetën politike, në mënyrë që të mos kënaqen vetëm me vendet e dhuruara apo vendet e garantuara. Kjo është një çështje politike dhe mendoj se ne do të jemi gjithëpërfshirës në debatin kushtetues.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se do të hiqet ideja e vendeve të rezervuara në Parlamentin e Kosovës?

ARSIM BAJRAMI
Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës është paraparë që në zgjedhjet e treta pas pavarësisë, vendet e rezervuara të shndërrohen në vende të garantuara dhe ky nuk është vetëm një ndërrim terminologjik, por është një ndërrim substancial, sepse pakicat do të përfaqësohen maksimalisht me 20 ulëse.

Të gjitha vendet në Parlament do të jenë vende zgjedhore, por në qoftë se një komunitet nuk arrin deri në 10, ai do të marrë - po e zëmë 7 ulëse të fituara dhe 3 ulëse të garantuara dhe do të mbyllet numri me 10 jo me 10 plus sa fiton. Kjo do të balancojë pak mbi-përfaqësimin aktual dhe do të mundësojë një përfaqësim pak më real. Është një përparësi që sivjet do të kemi edhe rezultatet e regjistrimit të popullsisë, do të dimë numrin e saktë të banorëve dhe kjo do të ketë një ndikim edhe te Kushtetuta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, për sa kohë parashihni t’i zbatoni këto reforma?

ARSIM BAJRAMI
Siç dihet, me rezolutën e Kuvendit ne kemi një mandat prej 9 muajsh - ne do të fillojmë që nga java e ardhshme që të bëjmë një agjendë të punës. Do të jetë një agjendë jashtëzakonisht intensive dhe jam i sigurt se brenda këtij afati prej 9 muajsh, ne do t’i bëjmë të gjitha amendamentet dhe këto dy ligje.

Do t’ia propozojmë Kuvendit për miratim dhe me këtë do të hapet rruga që të shkohet në zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit. Mundësia që të shkohet në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit është vetëm përmes amendamenteve kushtetuese. Kjo është me rëndësi, sepse presidentja aktuale nuk ka një kufizim mandati dhe kufizimi i saj do të mund të bëhet vetëm në qoftë se amendamentet kushtetuese shprehimisht parashikojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentit.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të konsultoni edhe me faktorin ndërkombëtar gjatë punës së komisionit?

ARSIM BAJRAMI
Procesi do të jetë gjithëpërfshirës. Komisioni është komision kryesisht politik, i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike. Ne do të hapemi për ekspertë vendorë - pse jo edhe ata ndërkombëtarë, do të hapemi për shoqërinë civile, për media, për botën akademike, në mënyrë që të sigurojmë një gjithëpërfshirje dhe një transparencë maksimale ndaj opinionit, për shkak se dëshirojmë t’i bindim se ndryshimet që do t’i propozohen Kuvendit në rishikimin e Kushtetutës, të jenë plotësisht transparente dhe të pranueshme për opinionin e gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë më parë se me këto reforma kushtetuese do të zvogëlohet rëndësia e faktorit ndërkombëtar apo e pavarësisë së mbikëqyrur. Kur mendoni se do të vijë momenti kur Kosova nuk do të ketë më nevojë për një pavarësi të mbikëqyrur?

ARSIM BAJRAMI
Unë mendoj që tre vjet pas përfaqësimit nuk do të ketë më nevojë që në organet e Kosovës të ketë përfaqësues ndërkombëtarë. Ta marrim si shembull: kemi tre gjykatës në Gjykatën Kushtetuese - në rregull për periudhën e parë, por nuk do ta vëmë një standard të përhershëm, sepse kjo është gjykatë e Kosovës dhe duhet të përbëhet nga të gjithë gjykatësit e Kosovës.

Pastaj kemi edhe rastin e Auditorit të Përgjithshëm që është ndërkombëtar dhe shumë raste të tjera, por edhe rasti i kompetencave ekzekutive që ka prezenca civile ndërkombëtare e EULEX-i. Mendoj se ka ardhur koha që Kosova t’i marrë të gjitha përgjegjësitë, sepse praktika ka treguar se kur institucionet e Kosovës pajisen me përgjegjësi, ata janë edhe më të përgjegjshëm, janë edhe më efikas. Nuk do të kemi më dualizëm të kompetencave siç kemi nganjëherë. Më së miri ky dualizëm është manifestuar në mungesën e progresit në veri. Në fakt, kompetencat nuk janë definuar mirë dhe gjithmonë kemi një alibi për fajësinë.

Mendoj se me marrjen e kompetencave, bartjen e amendamenteve kushtetuese ne do t’i veshim me përgjegjësi kushtetuese institucionet e Kosovës, në mënyrë që ato ta shtrijnë veprimin e Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG