Ndërlidhjet

logo-print
Analistët kosovarë thonë se në raport me BE-në, Kosova do të përfitojë, por jo më shumë sesa Serbia. Ndërkohë, edhe nëse nuk do të ketë ndarje, për të cilën kryengociatori serb Borko Stefanoviq, ka thënë se mund të bisedohet, analistët thonë se aranzhimet speciale për veriun do të jenë të paevitueshme.


Rezultate konkrete për çështjet praktike të diskutuara ndërmjet Kosovës e Serbisë ende nuk ka, ndërkohë debati se bisedimet do të marrin karakter politik, gjithnjë e më tepër po rritet.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, hodhi poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke thënë se kjo temë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tavolinë.

Por, në të njëjtën ditë, kryengoeciatori serb, Borko Stefanoviq, nuk e përjashtoi mundësinë të flitet për këtë temë, që ka të bëjë me veriun e pakontrolluar nga Prishtina zyrtare.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, thotë se edhe nëse nuk flitet për ndarje, aranzhime speciale, që cenojnë Kushtetutën e Kosovës, do të ketë.

“Është një çështje, në të cilën kemi hyrë krejtësisht të papërgatitur dhe në kontekst të pafavorshëm. Ka hapësirë për t’u shqetësuar mbi atë se cili do të jetë imponimi që do të jepet për veriun, sepse nga ky relacion më pak se Pakoja e Ahtisarit, apo Ahtisari vetë nuk del. Do të provohet të shkohet në një zgjidhje që tejkalon pakon e të drejtave për komunitete, të siguruara me Pakon e Ahtisarit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ylli Hoxha.

Autoritetet kosovare përsërisin se asnjë gjë që lidhet me sovranitetin e Kosovës nuk do të diskutohet me Serbinë. Por, për këtë nuk shprehet shumë i bindur analisti politik, Imer Mushkolaj.

“Ata që pretendojnë se Kosova, respektivisht pjesa veriore e Kosovës, do t’i takojë Kosovës, jam i bindur se mendojnë vetëm formalisht, sepse tashmë është e qartë se pjesa veriore, megjithatë do të ketë edhe pjesë të sovranitetit të Serbisë, në një formë apo në një formë tjetër”.

“Ndoshta është pak pretendicioze të thuhet tash, por me siguri se me zhvillimin e dialogut në vitet e ardhshme, atëherë do të qartësohen të gjitha këto linja dhe vërtet pjesa veriore e Kosovës do t’i takojë juridikisht Kosovës, por Serbia do të ketë sovranitet, për formën e të cilit do të vendoset në të ardhmen”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Imer Mushkolaj.

gjatë bisedimeve Kosovë - Serbi në Bruksel...

Nëse merret parasysh ky rrezik i ngritur nga analistët, atëherë përse Kosova u desh të hyjë në bisedime? Sipas Imer Mushkolajt, edhe pse në masë më të vogël sesa Serbia, edhe Kosova, për shkak të hyrjes në bisedime, do të përfitojë në procesin e integrimeve evropiane.

“Po të mos kishte përfitim, atëherë interesi i Kosovës nuk do të ishte fare që t’u qasej këtyre bisedimeve. Në këtë rrafsh konsideroj se Kosova do të përfitojë sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe dokumentacionin. Siç e dimë Serbia, përpos dokumentacionit, Kosovën e bllokon edhe në sfera tjera si telekomunikacion, tregti të lirë, etj. Unë besoj se rezultat i këtyre bisedimeve do të jetë ky aspekt, por nuk duhet hedhur poshtë edhe aspektin tjetër, se megjithatë ndonëse tash nuk thuhet nga BE-ja, por konsideroj se Kosova do të ketë përfitim nga Bashkimi Evropian për liberalizim”,
vlerëson Mushkolaj.

Por, për shumë çështje që janë shtruar në tryezë të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, sipas Ylli Hoxhës, pala kosovare nuk është dashur të lëshojë pe.

“Çfarëdo fitimi i Kosovës, nuk matet me fitimet që do t’i ketë Serbia në raport me procesin. Ajo fiton rrugë të qartë evropiane, e Kosova stagnon karshi BE-së, ndërsa mund t’i zgjidhë disa probleme, që ashtu kështu do të ishin të zgjidhura si: të zhdukurit, librat kadastralë, regjistrin civile. Ato janë obligime që Serbia do të duhej t’i bënte në forme automatike. Negocimi për çështjet që do të ishin obligim për Serbinë, tregon për papjekurinë e palës kosovare karshi krejt procesit”, thekson Hoxha.

Dialogu Prishtinë-Beograd, i nisur në mars, po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Asistencë këtij dialogu, i jep edhe përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Një ditë më parë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Tomas Kantrimen, tha se në afatin e gjatë kohor, një pjesëmarrje konstruktive dhe fleksibile e Qeverisë së Kosovës në dialog, do të ndihmojë fillimisht në njohjet shtesë nga vendet në mbarë botën; në ndërtimin e një raporti më të fuqishëm me Bashkimin Evropian dhe do të ndihmojë të çojë Kosovën drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Lexoni edhe këto:
Stefanoviq: Mund të bisedojmë edhe për ndarjen e Kosovës

Kosova në disavantazh?!
XS
SM
MD
LG