Ndërlidhjet

logo-print

Shitet naftë me cilësi të ulët


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në tregun kosovar shiten derivatet e naftës me njësinë matëse të sulfurit 50 ppm, që i bie 1 pikë sulfur në 50 litra naftë, përderisa në tregun e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këto derivate shiten më përmbajtje të sulfurit 10 ppm. Njohës të çështjeve të kësaj fushe, përfaqësues të kompanive importuese të naftës dhe zyrtarë qeveritarë theksojnë se një gjë e tillë lejohet nga mekanizmat ligjorë në Kosovë. Niveli prej 50 ppm-ësh, aq sa shitet në Kosovë, që prej gjashtë vjetësh është nivel i tejkaluar dhe lejohet vetëm nëpër autostrada të caktuara të vendeve të zhvilluara perëndimore.


Cilësia e naftës dhe derivateve të saj në Kosovë është më e ulëta në rajon. Arsye e gjithë kësaj është se vetëm shteti i Kosovës, prej të gjitha vendeve të rajonit, lejon importimin e derivateve të naftës me njësinë matëse të sulfurit prej 50 ppm, thonë njohës të kësaj fushe.

Lirije Karaxha-Pula, udhëheqëse e kompanisë “KPU Inspect”, që bën inspektimin e naftës dhe derivateve të saj, thotë se korporatat e vendeve tjera nuk guxojnë të shesin në tregun e tyre naftë me përmbajtje të sulfurit 50 ppm, që i bie, 1 pikë sulfur në 50 litra naftë, por vetëm 10 ppm.

Në Kosovë, shumica e derivateve të naftës importohet nga Maqedonia, thotë zonja Karaxha-Pula. E, përqindja më e madhe e sulfurit gjendet te nafta e rafinerisë maqedonase OKTA, e cila derivatet me 50 ppm, nuk i shtet në tregun vendas, por kjo sasi, sipas saj, shitet në Kosovë.

“Aty është edhe anomalia. Mund ta merrni me mend kur importuesit tanë kryesisht furnizohen nga rafineria e naftës OKTA, e cila këtë lloj nafte, që e kontraktojnë për Kosovën, nuk guxon ta shesë në Maqedoni. Kjo për arsye se aty është paraparë që derivatet e lëngëta të naftës ta kenë përmbajtjen e sulfurit maksimum 10 ppm”,
thotë Karaxha-Pula.

Në Bashkimin Evropian, që prej vitit 2005, në treg mund të gjendet naftë makinash me njësinë matëse të sulfurit prej 10 ppm. Ky nivel ka filluar të zbatohet edhe në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2007.

Ndërkaq, në Shqipëri nafta 10 ppm ka qenë e detyrueshme për tregtim nga 1 janari i këtij viti. Niveli prej 50 ppm, aq sa shitet në Kosovë, që prej gjashtë vjetësh është nivel i tejkaluar dhe lejohet vetëm nëpër autostrada të caktuara të vendeve të zhvilluara perëndimore.

Në radhë të parë, këto kritere janë përcaktuar për të mbrojtur mjedisin, e gjithashtu edhe makinat nga dendësia e sulfurit në naftën që përdoret.

Ndërmarrja për qarkullimin e naftës “Kosova Petrol” është një ndër kompanitë kosovare që importon naftë kryesisht nga Maqedonia me përmbajtje të sulfurit 50 ppm.

Menaxherja e kësaj ndërmarrjeje, Leonora Selmani, thotë se importimi i naftës me këtë përmbajtje të sulfurit, mundësohet nga ligjet ekzistuese në Kosovë. Ajo thotë se brenda një viti nga Maqedonia, kjo kompani importon mbi 23 milionë litra derivate të naftës.

“Sipas standardeve evropiane, është dashur të importojmë naftë me 10 ppm, realisht në kuadër të ligjit që është dashur të aplikohet që nga janari 2009, ne është dashur të vazhdojmë me 10 ppm. Por, ai ligj ende nuk është zbatuar dhe si pasojë ne vazhdojmë të importojmë naftë me 50 ppm”.

“Do të thotë ende jemi nën standarde. Megjithatë, kjo nuk është vetëm në kuadër të kompanisë sonë, por në nivel të Kosovës, që derivatet e naftës kryesisht merren me 50 ppm”,
shpjegon Selmani.

Kompania tjetër importuese e naftës “Mamidoil Kosova”, degë e korporatës greke “Jet Oil”, në tregun kosovar shet vetëm naftë me 10 ppm. Drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Paul Garinis, është i çuditur pse autoritetet kompetente lejojnë që derivatet e naftës të shiten me atë përmbajtje të sulfurit.

“Ne i garantojmë klientët tanë, që produktin që e blejnë, marrin saktësisht atë që paguajnë dizel dhe benzinë 10ppm, si çdo qytetar tjetër në Bashkimin Evropian, qoftë në Francë, Angli Gjermani dhe shtete tjera”,
thotë Garinis, duke shtuar se zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, më herët kanë deklaruar se në Kosovë do të shitet vetëm naftë me 10 ppm.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë premtojnë se është çështje ditësh se kur do të ndërrohet udhëzimi administrativ që lejon shitjen e produkteve të naftës me 50 ppm.

Ramadan Buzhala, kryesues i Këshillit për Licencim të Naftës, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se udhëzimi administrativ 2008/ 21 që aktualisht është në fuqi, lejon importimin e derivate të naftës me përmbajtje të sulfurit deri në 50 ppm.

“Por, ky udhëzim po i numëron ditët e fundit, pasi të martën që vjen është takimi i parë punues për ndryshimin dhe plotësimin e këtij akti nënligjor. Ndërsa, me aktin tjetër që zëvendëson këtë udhëzim administrativ, në Kosovë do të importohen derivate të naftës deri në 10 ppm, do të thotë përqindja e sulfurit do të jetë e kufizuar”
, thekson Buzhala.

Megjithatë, Buzhala konsideron se këta parametra nuk janë shqetësues, pasi, siç thotë ai, Komisioni Evropian dhe mekanizmat brenda tij, deri në fund të këtij viti në Kosovë lejojnë në treg derivate me këtë përmbajtje të sulfurit.

Sidoqoftë, sipas Buzhalës, në Kosovë rreth 65 për qind e derivateve të naftës janë me përqindje të sulfurit 50 ppm, ndërsa mbi 30 për qind importohen produkte të naftës me 10 ppm.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG