Ndërlidhjet

Për shkak të mosvazhdimit të preferencave tregtare me Bashkimin Evropian, disa kompani kosovare, të cilat kanë eksportuar produktet e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, rrezikohen të mbyllen tërësisht. Përfaqësuesit e tyre kërkojnë nga institucionet e vendit të ndërmarrin hapa urgjentë për negocimin e kësaj marrëveshjeje.


ISF “Progress” NewCo në Prizren është njëra nga kompanitë kosovare që ka pësuar humbje nga mosvazhdimi i preferencave tregtare me Bashkimin Evropian.

Veprimtaria e kësaj kompanie përfshin prodhimin e filamenteve tekstile dhe filamenteve teknike. Nezir Xhoxhaj, zëvendësmenaxher në ISF “Progres” NewCo, flet për humbjet që kanë pësuar:

Është bërë një punë jo e mirë. Mallrat tona taksohen për 6 për qind... Kjo është çështje e rëndë, pasi që humbëm konkurrencën ndaj partnerëve tanë në vendet e Evropës”.

“Në një kohë shumë të shkurtër pas privatizimit, me shumë mund, gjetëm një treg për produktet tona dhe inkorporuam raporte të mira në Holandë, Turqi dhe Poloni”,
thotë Xhoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

BE
Që nga fillimi i këtij viti, Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Produktet kosovare nuk mund të eksportohen në vendet e Unionit pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Xhoxhaj thekson se mosvazhdimi i preferencave autonome tregtare me BE-në ka sjellë pasoja negative për ekonominë e përgjithshme të Kosovës.

“Nëse edhe më tutje nuk mund t’i ekspertojmë produktet tona, jemi të detyruar ta ulim numrin e punëtorëve dhe ta reduktojmë sasinë e prodhimit”, shprehet Xhoxhaj.

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë një hulumtim me kompanitë kosovare për dëmet aktuale dhe potenciale. Në bazë të këtij hulumtimi, përveç efekteve negative që janë shkaktuar në eksport, përfaqësues të OEK-ut kanë thënë se ndalimi i preferencave ka pasur ndikim edhe në efektin e punësimit, në pozitën konkurruese, si dhe në humbjen e partnerëve.

Një kompani tjetër, e cila po ashtu ka pësuar humbje nga mosvazhdimi i preferencave autonome tregtare me BE-në, është NPTT “Shkambi”, që merret me riciklimin e katalizatorëve të makinave të përdoruara.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Edmond Kaja, thotë se janë në rrezik të mbylljes së biznesit.

“Rreziku është që të më mbyllet biznesi. Konkurrenca jonë është rreth Kosovës, prej Serbisë, Bullgarisë... Këto vende nuk i kanë këto kushtëzime”, shprehet Kaja.

Kompanitë kosovare, të cilat ekspertojnë mallra në vendet e Bashkimit Evropian, kërkojnë nga institucionet të ndërmarrin masa urgjente.

“Kërkojmë nga autoritetet tona që të rikthejnë marrëveshjen dhe të mos kushtëzohemi me pagesë të doganës”, apelon Kaja.

Kosova, deri më 31 dhjetor të vitit 2010, ka pasur preferencat autonome tregtare. Mbetja e Kosovës jashtë këtij regjimi, sipas ekspertëve të ekonomisë, e thellon edhe më tutje izolimin e saj, i cili, sipas tyre, është bërë i vërejtshëm edhe me rastin e mbetjes së Kosovës jashtë regjimit të liberalizimit të vizave.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG