Ndërlidhjet

Imunizimi, sukses i sistemit shëndetësor


Sipas autoriteteve shëndetësore, 95 për qind e fëmijëve në Kosovë vaksinohen.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 95 për qind e fëmijëve në Kosovë vaksinohen.

Grupi i ambasadorëve të rinj në Kosovë ka shprehur dëshirën që të takohet me zyrtarë institucionalë pikërisht në javën evropiane të imunizimit. Qëllim i tyre ishte sensibilizimi i fëmijëve për t’u vaksinuar.

Ledri Thaçi, kryetar i Grupit të ambasadorëve të rinj, tha se kanë bërë një marrëveshje me zyrtarët shëndetësorë, për një bashkëpunim në lidhje me imunizimin.

“Arsyeja përse kemi kërkuar të takohemi me ministrin e Shëndetësisë, ishte fakti se ata kanë përgjegjësi ndaj nesh, ndaj popullit dhe mund të përgjigjen në pyetjet tona. Ne kemi biseduar për statistikat e vaksinimit - 95 për qind e fëmijëve në Kosovë vaksinohen. Kemi biseduar se si ta ngushtojmë atë 5 përqindëshin”, tha Ledri Thaçi.

Imunizimi në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është njëra nga pikat më të ndritshme në sistemin e shëndetësisë. Këtë e thotë edhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Ai u shpreh i kënaqur me interesimin e ambasadorëve të rinj për vaksinimin e fëmijëve.

Mbulimi i vaksinimit në Kosovë është 95 për qind, çfarë konsiderohet sukses. Me ambasadorët e vegjël ishte një befasi të jemi së bashku. Jemi përgjigjur në pyetjet që atyre u interesonin...”.

“Unë i shpalla si bashkëpunëtorë të parë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të gjithë ambasadorët e vegjël dhe ata do të jenë të mirëseardhur për çdo tematikë në vazhdën e edukimit shëndetësor, në mënyrë që të informohen për ruajtjen e shëndetit”,
tha Ramadani.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se imunizimi duhet të jetë model edhe në sektorë të tjerë të shëndetësisë.

“Kosova mund të krenohet me imunizimin e popullatës. Jemi shtet, ku shumë sëmundje ngjitëse janë çrrënjosur dhe shërbejmë si model edhe për shtetet tjera. Këtë gjë mund ta bëjmë edhe në sektorët tjerë të shëndetësisë”, deklaroi Agani.

Ministri foli edhe për ambasadorët e rinj:

“Me ambasadorët e rinj i pamë disa aspekte të veçanta të interesimit të tyre. Ishin inspiruese, ma forcuan bindjen se bashkëpunimi me ta është i domosdoshëm”.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se ky mekanizëm i ka përkrahur në vazhdimësi institucionet shëndetësore drejt fuqizimit të sistemit të vaksinimit.

“Ne kemi ofruar standardet që janë të bazuara në evidencë, në të gjitha takimet rajonale dhe subrajonale”, theksoi ai.

Edhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë konsiderohet se ka përkrahur në vazhdimësi Ministrinë e Shëndetësisë në sigurimin e vaksinave për programin e zgjeruar të imunizimit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG