Ndërlidhjet

logo-print

Kosova të reagojë më ashpër


Kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi

Kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi

Zyrtarët kosovarë kanë hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për ndarje, opsion ky për të cilin ka folur kryenegociatori serb, Borko Stefanoviq. Por, analistët në Prishtinë thonë se pala kosovare duhet të jetë më e ashpër në reagime dhe eventualisht të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve, po qe se nga Serbia vijnë deklarime të tilla.


Analistët kosovarë thonë se Prishtina zyrtare duhet të tregohet më e ashpër në reagimet ndaj Beogradit, pas deklaratave të kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviq, se pala serbe nuk e përjashton mundësinë që të bisedojë edhe për ndarje.

Një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë shefja e ekipit kosovar të bisedimeve, Edita Tahiri. Por, analisti Ismajl Hasani tha se duhet shkuar përtej reagimit të thjeshtë.

“Pala kosovare do të duhej të bënte një reagim më të ashpër, duke insistuar që mbase edhe të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve të mëtejme, nëse Serbia nuk ndërgjegjësohet ose nuk i kthehet tryezës së bisedimeve, e jo shantazheve të tipit të ndarjeve të Kosovës, apo kinse organizmit të regjistrimit në vendin që e ka njohur shumica e konsiderueshme e shteteve që kanë fuqi botërore”, i tha Radios Evropa e Lirë Hasani.

Edhe para nisjes së dialogut ka pasur zëra se, megjithëse quhet dialog teknik, veriu i Kosovës, që vazhdon të jetë i pakontrolluar nga Prishtina, nuk do të mbetet pa u prekur.

Megjithatë, sipas analistit Behlul Beqaj, pala kosovare duhet të këmbëngulë në trajtimin e temave teknike.

“Nuk duhet të sillen me injorancë karshi kësaj ideje, por duhet të jenë këmbëngulës në përcaktimin e itinerarit nga ana e palës kosovare, duke u nisur nga zgjidhja e problemeve të natyrës jetike, e jo të natyrës statusore”, tha Beqaj.

Të tri raundet e bisedimeve të mbajtura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë dhënë rezultat konkret. Por, deklaratat politike, si ajo e Stefanoviqit, nga analistët në Prishtinë vlerësohen si indikatorë tjerë, që bisedimet të mos sjellin rezultate konkrete.

Ismajl Hasani tha se jo vetëm Stefanoviqi, por edhe zyrtarë të tjerë po provokojnë situatën.
Serbia do të duhej ndëshkuar qoftë me paralajmërimin e Kosovës për tërheqje nga bisedimet, qoftë me paralajmërimin e Kosovës në Zyrën e baroneshës Eshton...

“Konsideroj se Serbia do të duhej ndëshkuar qoftë me paralajmërimin e Kosovës për tërheqje nga bisedimet, qoftë me paralajmërimin e Kosovës në Zyrën e baroneshës Eshton, në SHBA, për të parë se është shkallë e duhur serioze e sjelljes së Serbisë në raport me bisedimet që po zhvillohen mes saj e Kosovës”, tha Hasani.

Në anën tjetër, Behlul Beqaj, tha se deklarata e Stefanoviqit për ndarje do të ketë ndikim, por jo aq të madh sa për të ndikuar në rrjedhën e bisedimeve.

“Mendoj se ndikimi është i dukshëm, por nuk mund të ndryshojë kahun e veprimit dhe përmbajtjet që janë të përcaktuara nga BE-ja, e jo nga palët që do të duhej gjoja të arrinin ndonjë marrëveshje për çështjet e hapura”,
u shpreh Beqaj.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Tomas Kantrimen, ka thënë dy ditë më parë se ndarja e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në tavolinën e bisedimeve.

Megjithatë, disa analistë në Kosovë nuk e përjashtojnë mundësinë që gjatë negociatave të bëhen aranzhime speciale për veriun, të cilat do të preknin edhe sovranitetin e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG