Ndërlidhjet

SHBA: Mundësi sanksionesh për zyrtarët e Sirisë



Shtetet e Bashkuara po e konsiderojnë vendosjen e sanksioneve kundër zyrtarëve të Sirisë, si përgjigje ndaj dhunës "krejtësisht të papranueshme" që përdoret nga forcat e Damaskut për t'i shtypur kryengritësit.

Zëdhënësi i Këshilit Kombëtar të Sigurisë, Tomi Vietor, tha se "Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një varg opcionesh të mundshme politike, përfshirë sanksione selektive, për t'iu përgjigjur shtypjes dhe për t'a bërë të qartë se kjo sjellje ështëe papranueshme".

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe banorët lokalë thanë se forcat e sigurisë të Sirisë, të mbështetura nga tanket, kanë ndërmarrë një sulm në qytetin jugor Dera. Aktivistët thanë se të paktën 25 njerëz janë vrarë.

Dera është qyteti ku filluan protestat kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad një muaj më parë. Raportet thonë se qindra trupa kanë hyrë në qytet. Zyrtarët jordanezë kanë konfirmuar se Siria e ka mbyllur kufirin me Jordaninë.

Banorët u thanë mediave të huaja se në rrugë shihen trupa, ndërsa tanket po e bombardojnë qytetin.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 350 civilë janë vrarë që nga fillimi i trazirave në Siri.
XS
SM
MD
LG