Ndërlidhjet

Guardian: Trashëgimia e Çernobilit pas 25 vjetësh


Zona e Çernobilit

Zona e Çernobilit

"Guardian"

Në ditën kur mbushen 25 vjet nga aksidenti më i madh atomik në botë, numri i rasteve me kancer po rritet, ende ka kufizime në dhjetëra-mijëra kilometra katrorë të tokës, ndërsa Ukraina dhe Bjellorusia, dy vendet më të prekura nga katastrofa, janë ngarkuar me çmime të kushtueshme, të cilat do të vazhdojnë për mijëra vjet.

Trashëgimia e plotë e eksplodimit në vitin 1986 ende nuk është e qartë, por një studim i ri nga shkencëtarët ndërkombëtarë për Institutin Kombëtar të Shëndetit, që është agjenci kërkimore mjekësore e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ka gjetur se prania e jodit 131në zonë, me gjasë është përgjegjëse për kancerin tiroid, që ende paraqitet në mesin e njerëzve, të cilët në kohën e aksidentit ishin fëmijë ose të rinj.

Shkencëtarët thonë se nuk kanë gjetur dëshmi për të sugjeruar se rreziku i shtuar nga kanceri tek ata që kanë jetuar në këtë hapësirë në vitin 1986, ka shënuar rënie.

Sipas Forumit të Çernobilit, i përbërë nga tetë trupa të Kombeve të Bashkuara dhe nga Qeveritë e Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainës, priten afro 9 mijë vdekje nga kanceri, por këto të dhëna kontestohen fuqishëm nga shkencëtarët e tjerë, të cilët vlerësojnë se ky numër mund të jetë shumë më i madh.

Të dhënat e Forumit të Çernobilit thonë se varfëria në hapësirat e prekura, tash është aktuale dhe shumë më e madhe se në hapësirat e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Zhvendosja e detyruar e popullatës doli se ishte traumatike dhe se ka frikësuar breza të tërë të njerëzve.

“Edhe kur kolonët ishin kompensuar dhe u ishin ofruar shtëpi falas, shumë prej tyre e mbanin ndjenjën e padrejtësisë së thellë”, thuhet në një studim aktual të këtij forumi, ku po ashtu theksohet se “shumë prej tyre ende janë të papunë, pa vend në shoqëri dhe kanë pak kontroll ndaj jetës së tyre, ndërsa disa kolonë të vjetër ndoshta kurrë nuk do të mund të përshtaten”.

Thuhet se aksidenti i kishte shkatërruar ekonomikisht hapësirat, që më së shumti ishin prekur nga katastrofa. Ukraina dhe Bjellorusia kanë shpenzuar më se 12 miliardë dollarë deri më tash, për masat që duhet të ndërmerren në Çernobil. Kjo, sipas forumit, ka krijuar një ngarkesë “të paqëndrueshme” që po vazhdon në të dyja vendet.

Bujqësia ka vazhduar të dëmtohet shumë. Më se 785 mijë hektarë të tokës janë përjashtuar nga përdorimi për vite dhe prodhimi i drurit është ndalur në 700 mijë hektarë të tjerë.

Derisa kontaminimi ka rënë, bujqësia ka vazhduar, por është ngritur çmimi i prodhimit të ushqimit në hapësirat e prekura, për shkak të përdorimit të plehrave dhe të substancave të tjera, thonë Kombet e Bashkuara.

Pos kësaj, stigmatizimi i Çernobilit e ka vështirësuar shitjen e prodhimeve të fermerëve. Vendet e largëta nga Çernobili, siç janë Britania, Suedia dhe Norvegjia, ende nuk i kanë tërhequr të gjitha kufizimet e shitjes së qumështit dhe të prodhimeve të tjera.

Hulumtimet e reja nga Organizata Greenpeace International thonë se shumë ukrainas ende përdorin ushqim me nivel të lartë të rrezatimit. Ka pak gjasa që atje të ketë kthim ndonjëherë në jetën normale, në një zonë të ndaluar 30-kilometërshe rreth reaktorit në Çernobil.

Disa qindra njerëz ende jetojnë atje, ndërsa ka të tjerë që kthehen të jetojnë, por niveli i rrezatimit është ende ekstremisht i lartë. Është ironike, por kjo hapësirë tash është parajsë për botën shtazore, që ka përfituar nga mungesa e njerëzve. (f.b.)
XS
SM
MD
LG