Ndërlidhjet

PROTESTA DHE FISHEKZJARRE NË NDËRRIMIN E MOTEVE


Rrahman Paçarizi

Disa dhjetëra familjarë të personave të zhdukur e kanë kaluar natën e ndërrimit të viteve duke protestuar në qendër të Prishtinës, të pakënaqur nga angazhimi i institucioneve vendore dhe i administratës ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre. Ata kritikuan udhëheqësit vendorë e ndërkombëtarë që nuk kanë bërë presion të mjaftueshëm për ndriçimin e fatit të rreth 2000 personave, shumica shqiptarë, që konsiderohen të zhdukur sipas të dhënave të organizatave që merren me këtë çështje.
Protesta e mbrëmshme është mbajtur në qendër të Prishtinës, nën qiellin e hapur që ushtonte zhurmshëm nga fishekzjarrët dhe mjetet e tjera plasëse. Udhëheqësit më të lartë të Kosovës, ndërrimin e viteve e kanë pritur më afër qytetarëve dhe punonjësve. Presidenti Fatmir Sejdiu në mesnatë ka qenë në klinikën gjinekologjike në Prishtinë, ku ka uruar nënat e reja për foshnjat e sapolindura, ndërsa kryeministri Çeku në ato orë ka vizituar Trupat e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shërbimin Policor të Kosovës.
Në urimin e tij për Vitin e Ri, presidenti Sejdiu e cilësoi të vështirë vitin 2006. “Themi me bindje se ky vit ishte vit i afrimit të ditës së pavarësisë e cila do të hapë perspektiva të reja ekonomike e strategjike në të gjithë rajonin. Ne presim që presidenti Ahtisari të dalë sa më parë me propozimin e tij për statusin final të Kosovës, që duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj, një Kosovë e pavarur dhe e integruar në strukturat evroatlantike dhe me ulëse në OKB”, tha presidenti Sejdiu, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker tha se ai ishte vit i sifdave të mëdha, por edhe i unitetit dhe përparimit të madh për Kosovën. “Ende nuk e kemi arritur pikën finale, por jam i bindur se kështu të bashkuar dhe duke e mbajtur Kosovën në rrugën e duhur, ne do ta arrijmë kulminacionin e këtij procesi”, tha Joachim Ruecker, duke premtuar se UNMIK-u do ta vazhdojë punën për përfundimin e suksesshëm të misionit të tij, prandaj po punojmë për tranzicion nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës.
Komandanti i KFOR-it gjenerali Roland Kather tha ndërkaq se KFOR-i ishte i gatshëm për të siguruar qetësinë në Kosovë gjatë dhe pas përcaktimit të statusit. “Unë e di se populli i Kosovës është i vetëdijshëm për këtë dhe për faktin se nuk ka të ardhme përmes përdorimit të dhunës”, tha gjenerali Kather, duke përkujtuar se demokracia ka në vete edhe kuptimin e përgjegjësisë, që do t’i udhëheqë njerëzit edhe në kohën e përcaktimit të statusit.
Sidoqoftë, pritja e Vitit të Ri, në gjithë Kosovën ka kaluar qetë dhe në atmosferë festive. Zyrtarët e policisë nuk kanë njoftuar për incidente.

XS
SM
MD
LG