Ndërlidhjet

WELCH:"EKONOMIA MBETET KËRCËNIMI KRYESOR PËR KOSOVËN"


Antony WELCH, koordinator i Sektorit për Sigurinë e Brendshme në Kosovë

EVROPA E LIRË
Z Welch, jeni në fund të misionit tuaj në Kosovë. Më parë patët konkluduar se kërcënim kryesor për Kosovën është papunësia dhe ekonomia e jo siguria. Çfarë thotë raporti i fundit?

ANTHONY WELCH
Raporti që do të bëhet publik në fillim të vitit të ri thekson faktin se shumica e popullit të Kosovës pavarësisht ndasive etnike; të gjithë theksojnë se mungesa e vendeve të punës, mungesa e një ekonomie të qëndrueshme dhe mungesa e rritjes se investimeve dhe industrisë në Kosovë është kërcënimi kryesor për sigurinë. Nuk ka dyshim se në Kosovë ende ka tensione. Në muajt e kaluar këto tensione janë ngritur pak për shkak të vendimit për të ardhmen e Kosovës. Por kjo bie ne vendin e dytë në mesin e shqetësimeve për të siguruar një të ardhme për familjen dhe një të ardhme ekonomike të qëndrueshme.

EVROPA E LIRË
Pra ju vazhdoni të shikoni si kërcënime kryesore për sigurinë ekonominë dhe papunësinë?

ANTHONY WELCH
Po, mund të them se në përgjithësi këto dominojnë gjithçka, dhe këto sigurohen nga një nivel i lartë i papunësisë te pothuajse 60 për qind të popullatës shumicë e që shkon deri ne 90 për qind në disa raste tek minoritetet. Kjo natyrisht që sjell tensione. Dhe çon në krim, krim të organizuar dhe çon në ndjenjën e frustrimit, e cila shpesh mund te shprehet kundër më të dobëtëve ne komunitet.

EVROPA E LIRË
Viti 2007 shihet si vendimtar për statusin e Kosovës. Çfarë pritni ju në fushën e sigurisë për këtë vit?

ANTHONY WELCH
Mendoj se duke nënvizuar shumë tregues, në Kosovë është një ndjenjë e frustrimit për shkak se ende nuk ka zgjidhje, nuk dihet se si do të jetë Kosova në të ardhmen. Dhe kjo i prek të gjithë. Por, edhe varet nga pikëpamjet e njerëzve. Se si ata duan ta shohin të ardhmen e Kosovës, por ky moment i harresës, që po vazhdon dhe që ka të ngjarë të vazhdojë dhe për disa javë a muaj të vitit të ri po i frustron shumë njerëzit. Dhe kjo natyrisht që ndikon në situatën e përgjithshme. Mendoj se po të kishim zgjidhjen në javët apo muajt e ardhshëm sërish do të duhej shumë kohe për të përmirësuar situatën. Po do të ketë njerëz që do të jenë të pakënaqur me vendimin që do merret nga bashkësia ndërkombëtare, por të paktën ata do të kenë diçka për të cilën protestojnë, do të ketë një drejtim, që aktualisht nuk duket të jetë gjëkundi. Kosova po jeton në vendin e harresës.

EVROPA E LIRË
Z Welch, keni thënë me herët se Kosovës i duhet një forcë e armatosur e vogël, por po ashtu keni theksuar se kjo nuk nënkupton transformimin e TMK-së. A e keni marrë për këtë përkrahjen e liderëve të Kosovës dhe të TMK-së?

ANTHONY WELCH
Kam folur për këtë jo vetëm me kryeministrin dhe ministrat por edhe me komandantin e TMK-së. Është thënë në raport, dhe natyrisht do të varet shumë se çfarë do jetë statusi final i Kosovës. Është e qartë se të kesh forcë mbrojtëse duhet të kesh sovranitet dhe pavarësi. Ne duhet të presim dhe të shohim nëse do të jetë kjo zgjidhja për Kosovën. Por, në diskutimet e mia me liderët unë kam theksuar dëshirën e madhe të popullatës shumicë që Kosova duhet të pavarësohet dhe te ketë forcë mbrojtëse. Dhe ne përkrahim këtë. Ne besojmë se me praninë e NATO-së dhe për një kohë të komunitetit ndërkombëtar, nuk ka nevojë për një forcë të madhe. Dhe arsyeja kryesore për këtë është sërish ekonomia. Buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë një forcë të madhe mbrojtëse. Është më mirë të ketë një forcë mbrojtëse të vogël profesionale dhe të organizuar mirë, e cila mund të mos jetë e madhe në numër, por do jetë e madhe në shkathtësi. Pra, kjo është ajo që rekomandojmë. Sa i përket përfshirjes së TMK-së në këtë force, ne nuk e përjashtojmë aspak këtë. Ne i inkurajojmë pjesëtarët e TMK-së që të aplikojnë në këtë forcë. Por, do te kete disa që për shkak të moshës apo aftësive nuk do të jete e mundur që të transferohen.

EVROPA E LIRË
…dhe çka do të bëhet me TMK-në?

ANTHONY WELCH
TMK për një kohë do të ec paralelisht me forcën e re mbrojtëse, por detyrat dhe përgjegjësitë e saj në përgjithësi do transferohen tek forca e re mbrojtëse përderisa kjo e fundit rritet dhe trajnohet me tepër. Me siguri kjo do zgjat disa vjet e më pas TMK-d do duhej shpërbërë, por detyrat dhe historia e saj barten tek forca e re mbrojtëse.

EVROPA E LIRË
Z Welch një sfidë tjetër e sigurisë për Kosovën është pjesa veriore, e cila ende nuk kontrollohet nga UNMIK-u apo nga institucionet e Kosovës. A keni ndonjë rekomandim për zgjidhjen e problemit të kësaj pjese?

ANTHONY WELCH
Ne kemi identifikuar dhe theksuar problemet e Mitrovicës. Në nivelin e tensioneve ndëretnike do të thosha se Mitrovica është një Kosovë në miniaturë. Natyrisht kjo është shumë shqetësuese. Kjo është pjesa më e vështirë për Kosovën. Ka diskutime të mëdha që po zhvillohen tash në Vjenë, Nju Jork dhe vende tjera se cila do jetë e ardhmja e asaj komune dhe rajonit. Ne besojmë se raporti ynë do duhej të shikonte situatën e përgjithshme dhe t’ia lë këtë pjesë atyre që punojnë për këtë problem, që të gjejnë zgjidhje.

EVROPA E LIRË
Z Welch, ju keni qenë në Kosovë për disa vite. Bazuar në përvojën tuaj, dhe në gjetjet e juaja këtu si e shihni të ardhmen e përgjithshme të Kosovës?

ANTHONY WELCH
Mendoj që vitet që vijnë, 2007- e tutje, janë vite të vështira. Do të ketë shumë, shumë sfida, shumë vështirësi. Ndërtimi i ekonomisë, ndërtimi i një të ardhme të përbashkët për Kosovën. Por, në 7 apo 8 vitet e fundit kam parë se si populli i Kosovës ka zgjidhur problemet madhore që ka pasur në të kaluarën dhe ka tejkaluar fatkeqësitë. Ekziston një frymë e madhe brenda popullit të Kosovës, një dëshirë e madhe për të krijuar vetë të ardhmen dhe besoj se populli i Kosovës do të vazhdojë me këtë frymë. Siç e thashë fillimisht e ardhmja nuk do të jetë e lehtë, por me mirëkuptim, bashkëpunim dhe punë të përbashkët besoj se Kosova ka të ardhme të ndritshme.

EVROPA E LIRË
Po, si i shihni raportet ndëretnike?

ANTHONY WELCH
Është shumë e vështirë të shërohen plagët e hapura. Nevojitet kohë që këto plagë të mbyllen dhe shërohen në mënyrë të duhur. Dhe natyrisht plagët lënë vragë që do mbesin gjithmonë. Por, e vetmja mënyrë që Kosova të mbijetojë, të përparojë është që të gjithë ata që jetojnë në territorin e Kosovës të punojnë së bashku. Do të marrë kohë deri sa të kuptohet kjo. Por, që Kosova të ketë sukses në të ardhmen, kjo vërtetë duhet të ndodhë. Nëse nuk ndodh, nuk do ketë të ardhme.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG