Ndërlidhjet

TRAJKOVIQ: KOSOVA NUK DO TË PAVARËSOHET KËTË VIT


Rrahman Paçarrizi

Viti 2007 nuk mund të jetë vit i zgjidhjes së statusit të Kosovës, por një vit i aktiviteteve të shtuara në këtë drejtim, tha nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Rada Trajkoviq. Në një intervistë për radion Evropa e Lirë, zonja Trajkoviq tha se viti 2007 as do të jetë vit i pavarësisë, kryesisht për shkakun se liderët shqiptarë të Kosovës nuk kanë arritur të përmbushin standardet e përcaktuara nga Bashkësia Ndërkombëtare. Mendoj se zgjidhja e statusit do të zgjasë shumë më tepër sesa periudha pas zgjedhjeve në Serbi, tha Trajkoviq.
"Statusi ndoshta do të hapet si çështje në kuptim të marrjes së dokumentit nga Ahtisaari dhe të njohjes me propozimet e tij", tha zonja Trajkoviq, sipas të cilës, kjo është hyrje në një proces të gjatë, pasi do të kërkohet qëndrimi i palëve dhe pastaj rishqyrtimi i propozimit në përpjekje për gjetjen e kompromisit.
"Gjithsesi, mendoj se 2007-ta do të jetë vit i aktiviteteve të mëdha në këtë plan, por jo edhe vit i zgjidhjes së statusit", thotë Trajkoviq. Ajo mendon se Kosova nuk do të bëhet e pavarur, jo vetëm për shkak të të drejtës ndërkombëtare që sipas saj është në anën e Serbisë, por më shumë për shkak të mospërmbushjes së standardeve nga institucionet e Kosovës.
"Unë llogaris se 2007-ta nuk do të jetë viti i pavarësisë, jo me fajin e bashkësisë ndërkombëtare, por me fajin e udhëheqjes shqiptare që nuk ka bërë mjaft për të përmbushur standardet", tha zonja Trajkoviq, e cila procesin e mëtejshëm e sheh në drejtim të përmbushjes së misionit që, sipas saj, bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë vetes në Kosovë.
"Kjo nënkupton para së gjithash përmbushjen e përgjegjësisë që bashkësia ndërkombëtare e ka marrë mbi vete, për mosndryshimin e pasqyrës etnike të Kosovës", tha zonja Trajkoviq, sipas të cilës "kjo nënkupton që do të sigurohet ekzistenca e serbëve në Kosovë dhe do të bëhet presion mbi Beogradin, në mënyrë që Kosovës vërtet të jetë një shoqëri shumetnike". Në këtë plan, sipas zonjës Trajkoviq, do të kërkohet nga shqiptarët dhe nga serbët që për shkaqe pragmatike të jenë fqinjë të mirë.
"Serbët e veriut, para së gjithash për shkak të serbëve që jetojnë në enklava, do të ishte mirë të mësojnë për ta pranuar komunikimin me shqiptarët. Kjo nuk duhet të jetë zgjidhje, por orientim i serbëve të Kosovës", thotë Trajkoviq.
Zonja Trajkoviq, e cila është shprehur kundër ndarjes së Kosovës, tha se është e shqetësuar për faktin që në ekipin negociues të Beogradit janë sforcuar serbët e veriut, duke u lënë pas dore serbët e pjesës tjetër të Kosovës.
"Shumë shpesh e kanë një ndjenjë sikur ajo që është nën Ibrin nuk përkrahet nga Beogradi dhe kjo më krijon përshtypjen sikur nuk po mbështeten negociatat për Kosovën multietnike", tha Rada Trajkoviq. Ajo tha se është e bindur që edhe serbët e Kosovës duhet të veprojnë përmes institucioneve, pasi ato janë garantueset e vetme të sundimit të drejtësisë dhe procesit të pajtimit. Mirëpo zonja Trajkoviq mendon se për këtë kërkohet një angazhim më i madh i udhëheqjes shqiptare dhe i bashkësisë ndërkombëtare për të siguruar mekanizmat, përmes të të cilave do të mund të mbroheshin interesat e votuesve.


XS
SM
MD
LG