Ndërlidhjet

KUNDËRSHTARËT E KOSOVËS SË RE DUHET TË NDALEN


Joseph Biden / Financial Times

Diskutimet që po zgjasin tash e sa vjetë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës duket se më në fund do të përmbyllen. Megjithë potencialin për një triumf në Kosovë, ekziston edhe rreziku gjithnjë e në rritje se Serbia dhe Rusia do të mund të merren vesh për një dështim të kësaj fitoreje. Ekstremistët në Beograd dhe në Moskë – ndonëse për arsye të ndryshme - janë duke shpresuar që të shfrytëzojnë veton e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të shtypur propozimin për pavarësinë e Kosovës. Nëse arrijnë ta bëjnë këtë, Ballkani do të jetë sërish një burim I lajmeve të këqija në një botë tashmë të mbushur me kriza nga më të ndryshmet.
Politikanët nacionalistë në Beograd e kanë sforcuar luftën e tyre kundër pavarësisë së Kosovës në mënyrë që të zhvendosin vëmendjen e opinionit nga dështimet e tyre.
Por, për dallim nga liderët e tyre, qytetarët e Serbisë duket se kanë një qasje më reale, sondazhet e fundit tregojnë se shumë serbë e parashohin pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët ndërkaq, në numër të madh presin shkëputjen e tërësishme të lidhjeve me Serbinë. Me gatishmërinë e qytetarëve të të dyja palëve që kjo çështje të marrë fund dhe që të ecin drejt sfidave më konstruktive, liderët që bllokojnë zgjidhjen do ta bëjnë këtë në kurriz të vetvetes.
Historikisht, telashet na Ballkan kanë qenë pothuajse gjithmonë rezultat I pritjeve false. Në përgjithësi, qytetarët e Evropës juglindore janë mendërisht të përgatitur për një Kosovë të pavarur.
Nëse Beogradi shtyn zgjidhjen, atëherë frustrimet tek popullata shqiptare do të mund të shtohen dhe rezultati mund të jetë I ngjashëm me trazirat e marsit të vitit 2004.
Përpjekjet ruse ndërkaq për të vonuar marrëveshjen mbi Kosovën janë në përputhje me traditën e Kremlinit për të sforcuar qeveritë e brishta dhe të nënshtruara në ish vendet komuniste. Moska si duket ka arritur në përfundimin se regjimet e varfëra dhe jostabile janë caqe më të lehta për manipulim se vendet e pavarura që kanë shënuar përparime. Përgjatë Gjorgjisë, Moldavisë dhe Azerbejxhanit, Serbia mund të jetë viktima më e re e kësaj strategjie.
Megjithatë, Kosova ende nuk është e gatshme për sovranitet të plotë. Madje, edhe pas pavarësisë, NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të garantojnë sigurinë për pakicat kombëtare dhe të sforcojnë ekonominë dhe institucionet qeverisëse. Por, koha ka ardhur që Kosova ta fitojë pavarësinë. Për sa kohë që debati mbi statusin vazhdon, Kosova dhe Serbia do të mbeten prapa ish republikave jugosllave që janë duke përparuar me shpejtësi, sikur Kroacia dhe Sllovenia. Suksesi në Kosovë, nëse arrihet, do të ketë ndikim të madh edhe përtej Ballkanit.


Joseph Biden është kryesuesi I ardhshëm I Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG