Ndërlidhjet

UNMIK-U KËRKON MË SHUMË PUNË NGA KOSOVARËT


Albana Isufi

Zëvendësshefi i UNMIK-ut Steven Schook në ditët e para të vitit të ri planifikon të vizitojë të gjitha ministritë kosovare për të parë dhe ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për të pranuar kompetencat në një proces tranzicioni që pritet të fillojë së shpejti. Në Ministrinë e Shërbimeve Publike, z Schook, ka shprehur shqetësimin për këtë transferim, duke kërkuar nga kosovarët që të punojnë më shumë. “Transferimi i kompetencave nuk ka filluar ende, por ndërtimi i kapaciteteve për kalimin e kompetencave ka filluar muaj më parë. Por, ende duhet bërë shume punë. T’u jap një shembull. Jam shumë i brengosur me dokumentet e udhëtimit. Jam shumë i brengosur dhe ne kemi vendosur një sistem, që njihet nga tërë bota për dokumentet legjitime të udhëtimit”, thotë Schook, i cili nuk elaboron më tepër shqetësimin e tij.
Por, ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli shprehet e bindur se kosovarët do të jenë të gatshëm për pranimin e më shumë kompetencave. ”Shpresoj se me një bashkëpunim të fortë me UNMIK-un do të bëjmë një kalim të sigurt të kompetencave në institucionet e Kosovës, duke treguar gatishmërinë e plotë të qeverisë dhe institucioneve tjera në ushtrimin e përgjegjësive që kemi si institucione dhe si shtet I pavarur”, thotë Tërmkolli.
Ministrja Tërmkolli thotë se këtë vit do të fillojë regjistrimi i popullsisë, si dhe një reformë në administratën publike.
“Reforma në administratë nuk është automatikisht zvogëlim i vendeve të punës, reformimi do të thotë një administratë më e përgjegjshme, më profesionale, më efikase, dhe më e lirë.. dhe unë besoj se këtë do ta arrijmë”, tha Tërmkolli.
Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se para se të zgjidhet statusi final, do të fokusohen në periudhën e tranzicionit, që nënkupton se me zgjidhjen e statusit, do të kalohen kompetencat nga UNMIK-ut në institucionet vendëse. Megjithatë, jo të gjitha përgjegjësitë do të mbikëqyren nga kosovarët. Zyra e ardhshme Civile Ndërkombëtare, për të cilën përgatitjet kanë filluar kohë më parë, do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së statusit, kurse misioni i BE-së në Kosovë do të mbikëqyrë drejtësinë dhe policinë. Edhe në Kosovën e pas statusit do të ketë një prani prej rreth një mijë policësh evropianë, si dhe një numër gjykatësish dhe prokurorësh ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG