Ndërlidhjet

logo-print

SHEHI:"BETEJË ZGJEDHORE APO PËR DRITAT..."


Dashamir SHEHI, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Shehi në Shqipëri situata politike shihet e vështirë përballë faktit që mazhoranca e opozita, nuk po gjejnë konsensin për zgjedhjet e ardhshme. Si e shihni ju këtë situatë?

DASHAMIR SHEHI
Sigurisht që është e vështirë. Është produkt i dy forcave të mëdha politike, pasi ka mbi gjashtë muaj që është ngritur komisioni për zgjedhjet i cili nuk ka avancuar aspak, është lënë çdo gjë për minutën e fundit. Negociatat kanë shkuar me ekstreme, megjithatë zgjidhje ka, po të ketë vullnet politik, zgjidhje ka e besoj e pranueshme nga të dyja palët. Kemi para pothuaj edhe dy muaj. Këto janë zgjedhje administrative e shumica e masave janë të marra pasi nuk kemi ndryshim të kodit elektoral. Pjesa tjetër janë çështje jashtë zgjedhore.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju pretendimet e opozitës dhe mazhorancës për proçesin zgjedhor?

DASHAMIR SHEHI
Opozita për disa gjëra ka të drejtë. Por pas vendosjes për shtyrjen e zgjedhjeve në shkurt, unë gjykoj që një pjesë e këtyre pretendimeve të opozitës kanë rënë. Duke e ekzagjeruar, përtej asaj që është normale, opozita tani po hyn në një situatë qesharake, duke kërkuar zgjatje të afatit kur dihet që mandati i të zgjedhurve lokalëve ka tre muaj që ka përfunduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ç'masë zhvillime të tilla politike ndikojnë në stabilitetin e institucioneve dhe në tranzicionin e vendit, i cili nga shumë analistë vlerësohet si më i stërgjaturi në ish bllokun komunist?

DASHMAIR SHEHI
Sigurisht që ndikojnë. Por nuk do ta ekzagjeroja po të thoja që një palë zgjedhje administrative duhet të shkatërrojnë të gjithë sistemin institucional në Shqipëri, duke i dhënë një rëndësi të tillë pothuaj politike zgjedhjeve administrative, që për mua është gabim i madh, por sigurisht ndikojnë. E dyta, duke u shtyrë përtej një limiti kohor logjik, sigurisht që ndikon sepse pushtetet lokale kanë gjashtë muaj që nuk punojnë. Sipas traditës shqiptare s'do punojnë edhe gjashtë muaj të tjerë derisa të ndërrohen, njëra palë të sjellë nëpunësit e saj, Kjo është një humbje kohe. Pastaj ndikojnë në klimën e përgjithshme të mirëbesimit reciprok të mundësisë për të ndërtuar institucione e për të bërë një politikë reale. Beteja e vërtetë është ndërtuar mbi energjinë elektrike. Partia socialiste në mënyrë cinike kërkon të shtyhen zgjedhjet jo për të plotësuar standartet, ajo kërkon ta zgjasë sa më shumë në mënyrë që këtyre t'u mbarojë energjia elektrike. Mazhoranca kërkon në mënyrë oportuniste t'i bëjë zgjedhjet, sepse ka siguruar një sasi. Domethënë e kuptoni se në ç'pikë qesharake ka hyrë proçesi zgjedhor?

RADIO EVROPA E LIRË
Ç'raport ka partia që ju drejtoni, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, me këto zhvillime?
DASHAMIR SHEHI
Ne gjykojmë që zgjedhjet duhen bërë sa më parë. Ne ishin dakort që zgjedhjet të zhvilloheshin edhe në janar. Ne kemi nevojë që pushteti lokal të fillojë të punojë, të rihapet debati real konstruktiv përsa i përket administratave lokale e të mbyllej një herë e mirë kjo çështje. Të mos interceptohej me çështjet e presidentit e zgjedhjet e tjera që vijnë në vitin 2007, të cilat mund të krijojnë edhe kriza të tjera institucionale. Fatkeqësisht jemi në këtë situatë. Ne do hyjmë në zgjedhje sipas ligjit, në të gjithë territorin me listat tona sigurisht edhe në bashkërendim me forcat e qendrës së djathtë, në listën mazhoritare do të jemi me kandidatë të përbashkët. Duke qenë një klimë të themi më e përmirësuar brenda krahut opozitar, shpresoj që të kemi respekt reciprok për njëri-tjetrin. Por sidoqoftë më e rëndësishmja është që zgjedhjet të plotësojnë një minimum standartesh, them një minimum sepse koha u shpërdorua me debate të panevojshme politike e nuk u arrit ajo që duhej, po një minimum standartesh për të qenë të pranueshme. Pastaj kësaj mazhorance që është sot e të gjithë atyre që janë në parlament i bie detyra të merren seriozisht me kodin zgjedhor, me mënyrën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG