Ndërlidhjet

VAZHDOJNË DEBATET POZITË - OPOZITË PËR KAPACITETET E QEVERISË


Zijadin Gashi

Angazhimi në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, potencohet tashmë si prioriteti kryesor politik i Qeverisë Çeku gjatë vitit 2007, ndërkohë që në planin e brendshëm përmenden angazhimet në zhvillimin ekonomik. Arben Qirezi, këshilltari i parë i kryeministrit Agim Çeku, thotë se angazhimet e shtuara që vendimi për statusin të arrihet sa më shpejt, do të jetë prioriteti i parë i kryeministrit dhe Kabinetit Qeveritar. “Si deri më tani kryeministri vazhdon që me anë të punës së tij me ekipin e unitetit dhe me aktivitete diplomatike të përshpejtoj njohjen sa më parë të pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër si kabinet qeveritar ne do të jemi të angazhuar me intensitet më të lartë në politikat e brendshme, krijimin e mëtutjeshëm të kushteve për rritje dhe zhvillim ekonomik”, tha Qirezi.
Në anën tjetër, Kabineti për Qeverisje të Mirë, që njihet dhe si “Qeveri në Hije” e PDK-së, subjekti më i madh opozitar në Kosovë, sot ka vlerësuar sërish se Qeveria aktuale nuk ka kapacitete që të drejtoj Kosovën deri në zgjedhjet e ardhshme. Një nga zyrtarët e këtij Kabineti nga PDK-ja, Fehmi Mujota, tha se opozita do të do të kontribuojë vazhdimisht në çështjet e statusit, por njëkohësisht do të qortojë qeverinë për dështimet e saj. “PDK ka pasur dy angazhime të veta thelbësore, e para që sa i përket statusit politik të Kosovës do të ofrojë kapacitetet e plota dhe besoj se opinioni e ka pa se kemi dëshmuar një gjë të tillë dhe angazhimi i dytë është në qeverisje të mirë dhe për këtë qëllim kemi mjaftë punë dhe sigurisht se gjatë vitit 2007 do ta dëshmojmë edhe më tepër”, tha Mujota.
Duke ofruar alternativa të një qeverisje më të mirë, sipas Mujotës, Qeverisë aktuale i dërgohen mesazhe se ajo nuk është e denjë të drejtojë Kosovën deri në zgjedhjet e ardhshme. Sidoqoftë, Mujota tha se PDK-ja nuk ka si qëllim të vetin rrëzimin e qeverisë dhe ardhjen në pushtet para zgjedhjeve të ardhshme. “Kapacitetet qeverisëse të kësaj Qeverie janë të ulëta, jo vetëm pse ka thënë KQM-ja por për faktin se e kanë dëshmuar me punën dhe angazhimet e tyre dhe në premtimet e dhëna kur e kanë filluar qeverisjen”, pohoi Mujota.
Në anën tjetër, Arben Qirezi thotë se me zgjidhjen e statusit, Qeveria e Kosovës do të fitoj përgjegjësi e kompetenca shtesë nga ana e administratës së UNMIK-ut, e cila pritet të largohet nga Kosova. Kjo sipas tij, do t’i mundësojë ekzekutivit kosovar një qeverisje më efikase dhe rezultate më të mira në të gjitha fushat e jetës. “Me njohjen e pavarësisë së Kosovës dihet se do të ndryshoj edhe karakteri i pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës do t’i marrë të gjitha funksionet që i takojnë qeverisë së një shteti të pavarur. Në këtë aspekt Qeveria së bashku me zyrën përgatitore të prezencës ndërkombëtare dhe me UNMIK-un është duke punuar në çështjet teknike të transferimit të kompetencave, një proces i cili do të marrë një pjesë të konsiderueshme të vitit 2007”, theksoi Qirezi.
Sidoqoftë, pavarësisht përplasjes në vlerësime lidhur me punën e qeverisë së Kosovës, edhe Ekipi Negociues, si një trup uniteti në Kosovë tashmë ka përcaktuar disa nga prioritetet e vitit 2007, ku hyjnë vendimi për statusin, miratimi i Kushtetutës së Kosovës, simbolet dhe përgatitja e zgjedhjeve të lira. Në anën tjetër, Qeveria me miratimin e buxhetit për vitin 2007 me 65 vota për në Kuvend, në fund të dhjetorit të kaluar, beson se ka tejkaluar rrezikun e një krize qeveritare, siç ka pohuar opozita.
XS
SM
MD
LG