Ndërlidhjet

SHEFI I OSBE-SË DHE PËRFAQËSUESIT SERBË DISKUTOJNË ZGJEDHJET E ARDHSHME


Rrahman Paçarizi

Zgjedhjet në Kosovë duhet të mbahen më së largu në nëntorin e këtij viti, tha sot shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt. Ai i ka bërë këto deklarata në pjesën veriore të Mitrovicës, pas një takimi me udhëheqës të Listës Serbe për Kosovën, nga të cilët ka kërkuar pjesëmarrje në zgjedhje dhe në institucionet e Kosovës. Wnendt tha me këtë rast se ky vit do të jetë tepër i rëndësishëm, nisur nga zgjedhjet në Serbi e posaçërisht për shkak se pritet shpalosja e propozimit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të bashkuara për Kosovën Marti Ahtisari. Shefi i OSBE-së për Kosovë, Werner Wnendt tha se me liderët e Listës Serbe ka folur për zgjedhjet e Kosovës. “Zgjedhjet në Kosovë do të duheshin mbajtur këtë vit, pasi zgjedhjet komunale janë shtyrë, ndërkohë që skadon edhe mandati i parlamentit dhe duhen mbajtur zgjedhje edhe në nivelin qendror, tha Wnendt, sipas të cilit këto zgjedhje më shumë se kurrë do të jenë përgjegjësi e autoriteteve vendore të Kosovës.
Në anën tjetër, bashkëbiseduesi i tij, Oliver Ivanoviq tha se për serbët e Kosovës është me rëndësi që zgjedhjet për parlamentin e Serbisë të kalojnë pa ekcese. Megjithëse sipas zotit Ivanoviq pjesëmarja e Listës serbe në institucione aktualisht nuk është temë diskutimesh, ai tha se e vetmja rrugë për realizimin e interesave jetike të serbëve është ajo që kalon përmes institucioneve. “Deri në zgjedhjet e Serbisë nuk do të diskutojmë për pjesëmarrjen në institucionet e Kosvës e pas kësaj do të ulemi edhe një herë për ta shqyrtuar këtë situatë, tha zoti Ivanoviq, sipas të cilit është e sigurt se statusi do të jetë çështja mbizotëruese, prandaj është me rëndësi që serbët e Kosovës në këto momente të jenë të qetë dhe të sigurt, pasi vetëm njerëzit e sigurt mund të mendojnë për aktivitete politike.
Lista Serbe për Kosovën, një koalicion ky i serbëve të Kosovë që ka bojkotuar punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, përbëhet nga degë të partive politike me qendër në Beograd, gjë që e ka vështirësuar marrjen e një vendimi të përbashkët për t’u rikthyer në institucionet e Kosovës, kanë theksuar disa herë përfaqësues të këtij subjekti politik.
XS
SM
MD
LG