Ndërlidhjet

A DO TË NDAHET LDK-JA DERI NË FUND TË JAVËS?


Albana Isufi

Krahu politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kryesuar nga Nexhat Daci në fund të kësaj jave mund ta bëjë të ditur vendimin për ndarjen nga subjekti më i madh politik në Kosovë, për të krijuar një parti të re politike. Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Gaxherri, thotë se aktualisht krahu politik i z.Daci po punon në terren, ndërsa vendimi për subjekt të ri politik do të bëhet shumë shpejtë i ditur. “Ne prej përfundimit të Kuvendit kemi punuar me bazën dhe jemi duke punuar me bazën, jemi çdo ditë në terren. Planet tona shumë shpejtë do t’i merrni vesh në fund të kësaj jave. Saktësisht do të vendosim, mendoj për një subjekt të ri politik”, thotë Gaxherri.
Krahu politik i Nexhat Dacit është ndarë i pakënaqur nga Kuvendi i Gjashtë Zgjedhor i LDK-së, i cili përfundoi me përplasje në mes të delegatëve. Përderisa zgjedhja e Fatmir Sejdiut si kryetar partie është vlerësuar korrekte nga përkrahësit e krahut të zotit Daci, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të përgjithshëm, e më pas edhe organeve drejtuese të partisë ka bërë që ndasitë ne LDK të thellohen dhe të çojnë edhe në ndarje. Megjithatë, nënkryetarja e LDK-së, Nekibe Kelmendi konsideron se kjo parti vazhdon të mbetet unike. “Unë e di që është një LDK dhe kjo LDK është unike, nuk është e ndarë dhe kjo LDK nuk ka pasur probleme në Kuvendin Zgjedhor”, thotë Kelmendi.
Megjithatë, krahu politik i Nexhat Dacit përveç se mendon të krijojë subjekt të ri politik, nuk përjashton mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar. Por, Besa Gaxherri nuk sqaron sa deputetë të LDK-së në Kuvend e përkrahin zotin Daci.
“Jemi një numër i konsiderueshëm. Të shikojmë, nëse është nevoja do të kemi edhe grup të ri”, thotë Gaxherri.
Sipas Rregullores se Punës se Kuvendit të Kosovës një grup parlamentar krijohet nga 6 deputetë, që janë në funksion të një qëllimi të përbashkët. Besa Gaxherri thotë se do të bisedojnë me deputetët e LDK-së në Kuvend për ta shqyrtuar këtë mundësi.
“Është shumë normale që kemi një numër të deputetëve në Kuvendi e Kosovës, por ende nuk e kemi biseduar këtë çështje seriozisht, sepse ne kemi shkuar nga ajo që ta ruajmë stabilitetin politik dhe të institucioneve të Kosovës, s’kemi dashur të jemi faktor të ndonjë problemi në këtë drejtim. Por, nëse ka nevojë në të ardhmen do të bisedojmë”, thotë Gaxherri.
Nënkryetarja e LDK-së Nekibe Kelmendi nuk komenton këto zhvillime, pa pasur një zyrtarizim të subjektit të ri politik.
Ish-kryetari i Kuvendit Nexhat Daci ka deklaruar kohë më parë se me numrin e deputetëve që ka në Kuvend mund t’i shkaktojë probleme koalicionit qeverisës në votimin e projektligjeve apo çështjeve tjera që shtrohen për votim në Kuvend.
XS
SM
MD
LG