Ndërlidhjet

OPOZITA QORTON INSTITUCIONET PËR VIZITËN E KRYEMINISTRIT SERB


Zijadin Gashi

Opozita ka reaguar sot ashpër ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, pas vizitës që kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica realizoi në pjesën veriore të Kosovës më 31 dhjetor. Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj e cilësoi këtë vizitë si provokative dhe me qëllim të destabilizimit të Kosovës. Mirëpo njëkohësisht ai tha se është edhe më shqetësuese heshtja e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës. Është shqetësues fakti që asnjëri prej përfaqësuesve të institucioneve nuk ka reaguar ndaj kësaj vizite dhe ndaj mesazheve që ka përcjell kryeministri serb, tha Limaj. Ndërsa ka qortuar sjelljet e presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, Limaj tha se qëndrimi i PDK-së ndaj deklaratave të Koshtunicës është i qartë dhe se premtimet që kryeministri serb ia drejtoi opinionit për Kosovën si pjesë të Serbisë, nuk do të realizohen kurrë.
“Vizita e kryeministrit serb me 31 dhjetor ka qenë vizitë provokative, e cila i dëmton angazhimet tona dhe dëmton sigurinë e vendit. Në çdo milimetër të Kosovës, Kosova do të jetë e shtet i pavarur në vitin 2007. Ai vie dhjetëra herë për ta vizituar Kosovën por Kosova do të jetë shtet i pavarur në çdo milimetër të territorit të vet dhe pikë. Jo kryeministri serb por askush këtë nuk mund ta ndalojë“, theksoi Limaj.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha sot pas një takimi që zhvilloi me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Steven Schook se kishte njohuri lidhur me këtë vizitë, e cila sipas tij ishte e karakterit privat. Çeku tha se qëllimet provokative të Koshtunicës nuk do të realizohen dhe se Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt pavarësisë pa u penguar nga vizita si ajo e Koshtunicës e realizuar natën e ndërrimit të mot-moteve.
“Vizita e kryeministrit serb ka qenë një vizitë private, në funksion të konsumit të brendshëm politik si dhe fushatës parazgjedhore, por ndoshta edhe në funksion që të zgjonte reagimet e institucioneve e qytetarëve të Kosovës, por kjo nuk ndodhi, ne qëndruam shumë indiferent dhe mendoj se kanë mbetur edhe pak ditë deri kur ai mund të realizoj vizita private në Kosovë”, tha Çeku.
Kryeministri serb Koshtunica kishte njoftuat për vizitën e tij private administratën e UNMIK-ut, si autoriteti numër një në Kosovë. Zëvendës shefi i UNMIK-ut, Steven Schook tha se ajo vizitë ishte e karakterit privat dhe si e tillë ishte realizuar.
“Ishte vizitë private. Çdo ditë kemi vizita të njerëzve nga Serbia në Kosovë. Unë e kam informuar kryeministrin se ishte vizitë private dhe si e tillë edhe u realizua”, tha zëvendëshefi i UNMIK-ut, Steven Schook.
Ndryshe në takimin e sotëm, kryeministri Çeku dhe zëvendësshefi i UNMIK-ut Schook kanë biseduar për fazën e tranzicionit të kompetencave nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës. Ndërsa kryeministri Çeku tha se qeveria e tij është plotësisht e gatshme t’i marrë të gjitha përgjegjësitë e një shteti të pavarur, Steven Schook tha se faza e tranzicionit përfshinë bartjen e përgjegjësive te Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare që do të instalohet në Kosovë pas statusit. Procesi i mirëfilltë i tranzicionit, sipas tij do të fillojë pas vendimit për statusin.

XS
SM
MD
LG