Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT E KOSOVËS PËRGATITEN PËR ZGJEDHJET SERBE TË 21 JANARIT


Albana Isufi

Serbët e Kosovës po përgatiten të votojnë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që do të mbahen më 21 janar, përderisa shumë nga ta shpresojnë se qeveria e ardhshme serbe do të garantojë mbetjen e Kosovës në Serbi. Kreu i të ashtuquajturit Qarkut të Mitrovicës Momir Kasalloviq thotë se vetëm në rajonin e Mitrovicës në ditën e zgjedhjeve do të jenë të hapura 92 vendvotime. “Më së shumti vendvotime ka ne Leposaviç, 33. Nga 21 vendvotime do të jenë të hapura në Zubin Potok dhe Mitrovicë, në Zveçan 10 vendvotime, Vushtrri 5 dhe Skenderaj 2. Vendvotimet do te hapen atje ku kjo është e mundur. Deri tash s’kemi pasur probleme dhe shpresoj se edhe me tej nuk do të kemi probleme”, thotë Momir Kasalloviq, duke u bërë thirrje votuesve serbë që më 21 janar të votojnë lirshëm për ata që mendojnë se duhet të qeverisin në 4 vjetët e ardhshme në Serbi.
Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës Goran Bogdanoviq, që tani drejton Këshillin për Kosovën të Partisë Demokratike shpreson se zgjedhjet do t’i fitojnë forcat pro-evropiane dhe pro-demokratike.
“Në zgjedhjet në Serbi pres që të fitojë Partia Demokratike dhe që qeverinë e ardhshme ta formojë Partia Demokratike, e cila do të grumbullojë të gjitha forcat pro-evropiane dhe demokratike në Serbi. Unë si kryetari i Këshillit për Kosovën dhe anëtar i Partisë Demokratike konsideroj se kjo është një forcë e cila do të mund të përmirësonte jetën, para se gjithash të qytetarëve të Kosovës, se është e gatshme për kompromis dhe tolerancë dhe se shpejtë do të përqafojë vlerat evropiane”, thotë Bogdanoviq, anëtar i partisë që e udhëheq kryetari i Serbisë Boris Tadiq. Bogdanoviq thotë se Kosova nuk mund të presë më dhe se qytetarët e saj pavarësisht përkatësisë së tyre fetare e kombëtare duan një jetë më të mirë.
Anëtari i ekipit negociues serb Marko Jakshiq thotë se nëse serbet dëshirojnë të mbesin në Kosovë, duhet ta kenë dikënd që u garanton mbetjen e Kosovës nën Serbi. Sipas tij kjo garanci ofrohet nga kryeministri aktual Vojisllav Koshtunica, njëherësh drejtues i Partisë Demokratike të Serbisë.
“Ky koalicion është i vetmi garantues që Kosova të mbetet në Serbi. Ne nuk konsiderojmë se Kosova është territor i humbur për Serbinë. Ne konsiderojmë se ekzistojnë shanse të mëdha, që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, sepse kryetari i qeverisë është njeriu që mund të garantojë se Kosova do të mbetet në kuadër të siç thotë Jakshiq, shtetit amë.
Zgjedhjet në Serbi kanë qenë shkaku kryesor, që e nxitën të dërguarin e OKB-së Marti Ahtisarin të shtyjë paraqitjen e propozimit për statusin e Kosovës deri pas 21 janarit.

XS
SM
MD
LG