Ndërlidhjet

NEGOCIATORËT KOSOVARË NË KËRKIM TË UNITETIT RRETH PAKOS SË AHTISARIT


Zijadin Gashi

Ekipi Negociues për statusin e Kosovës ka vlerësuar sot se Prishtina duhet të japë një përgjigje unike lidhur me propozimin e Marti Ahtisarit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas një takimi që ka zgjatur rreth dy orë, anëtarët e Ekipit Negociues thanë se presin që propozimi i Ahtisarit të jetë për pavarësinë e Kosovës, por sidoqoftë, ata u angazhuan dhe për një studim të këtij propozimi dhe ofrimit të përgjigjeve apo edhe sugjerimeve e vërrejtjeve të përbashkëta si ekip i unitetit. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se nuk pret ndonjë raund të ri bisedimesh me Beogradin pas propozimit të Ahtisarit. Prishtina, tha ai, pavarësisht sjelljeve të tjerëve do t’i koordinojë veprimet e veta të cilat sipas një marrëveshjeje në parim, duhet të jenë si qëndrime unike. Po ashtu, Sejdiu edhe këtë herë tha se kanë shqyrtuar prioritetet e Kosovës në këtë fazë që janë nxjerrja e Kushtetutës, simboleve dhe caktimi i zgjedhjeve pas statusit.
“Duhet të shpejtojmë hapin, posaçërisht në veprimet për Kushtetutën e Kosovës në atë që e kemi thënë më herët pa e anashkaluar Kuvendin, në procesin e zgjedhjeve që është e nevojshme të japim vizionin tonë se cili sistem do të jetë më i pëlqyeshëm dhe kujtoj se kemi pëlqim këtu si dhe në lidhje me simbolet shtetërore të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.
Ndërkohë që kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje me gjithë spektrin politik të Kosovës lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Prishtina për propozimin e Ahtisarit. Thaçi tha se pret që propozimi i Ahtisarit do të jetë në harmoni me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, por sidoqoftë, ai theksoi se qëndrimi kosovar do të duhej të ishte unik lidhur me këtë propozim.
“Kemi kërkuar një marrëveshje me spektrin politik të përfaqësues në Ekipin e Unitetit. Në kuadër të kësaj edhe për pakon e presidentit Ahtisari se si do të pritet dhe si do të kthehet përgjigja nga institucionet e politika kosovare në mënyrë që të kemi qëndrim unik”, theksoi Thaçi.
Për ruajtjen e unitetit është angazhuar edhe Veton Surroi, kryetar i Partisë Reformiste Ora. Ai tha se sfida e parë e Prishtinës do të jetë pranimi i propozimit të Ahtisarit dhe qëndrimi që do të mbajë Kosova lidhur me këtë propozim.
“Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe se e para është pikërisht kjo e dorëzimit të pakos së Ahtisarit, mënyra e përgjigjes dhe të gjitha çështjet tjera sepse në Kosovën e sotme të gjitha çështjet janë në kuadër të statusit dhe asgjë nuk është jashtë tij”, tha Surroi.
Ndërkohë që Beogradi thashme është deklaruar se çdo propozim që përmend pavarësinë e Kosovës do të jetë i papranueshëm, anëtarët e Ekipit Negociues nuk kanë komentuar këto deklarata duke vlerësuar se atyre u intereson vetëm qëndrimi i Prishtinës. Po ashtu, edhe zëdhënësja e kryeministrit të Kosovës, Ulpiana Lama tha se ky nuk është një proces i negociatave Prishtinë – Beograd, por një proces i komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare, kështu që Qeveria dhe as ekipi i unitetit nuk do të merren me qëndrimet serbe.
“Ky nuk është problem yni. E kemi thënë që nga fillimi se ky nuk është një proces negociimi ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por është një komunikim i Prishtinës e Beogradit me bashkësinë ndërkombëtare. Pala me të cilën duhet të bisedoj Beogradi është komuniteti ndërkombëtar”, u shpreh zëdhënësja Lama.
Ndryshe, Ekipi Negociues ka trajtuar sot dhe disa detaje që do të hapen për debat ditëve në vijim lidhur me Kushtetutën e re, pastaj hapjen e një debati për simbolet si dhe vlerësimin se a duhet të mbahen njëkohësisht zgjedhjet në të dy nivelet dhe çfarë sistemi zgjedhor do të aplikohet. Për këto çështje, anëtarët e ekipit negociues kanë pohuar se do të përpiqen të arrijnë harmoni të plotë mes tyre.
XS
SM
MD
LG