Ndërlidhjet

logo-print

SERBIA, STATUSI I KOSOVËS DHE SPORTI


Rrahman Paçarizi

Klubi i hendbollit “Vllaznimi” nga Gjakova që bën gara në kategorinë e femrave në kupën evropiane ChallengeCup nesër pasdite do të udhëtojë për në Budapest për të zhvilluar ndeshjen zyrtare kundër ekipit “Kikinda” nga Serbia, thanë zyrtarë të klubit gjakovar. Mirëpo, ekipi nga Serbia ka hequr dorë nga ndeshja me ekipin kosovar, sipas rekomandimit të qeverisë së Serbisë, për shkak të siç është thënë, statusit të pazgjidhur të Kosovës. Ekipet kosovare që nga edicioni i kaluar marrin pjesë rregullisht në kupat dhe kampionatet evropiane në hendboll, si në konkurrencën e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave, pasi më 2005 Federata e Hendbollit e Kosovës është pranuar si anëtare e rregullt e Federatës Evropiane të Hendbollit, tha Mexhid Devaja kryetar i federatës kosovare të hendbollit. “FHK më 18 dhjetor 2005 është pranuar si federatë e barabartë në garat ku tash i zhvillon, ku vetëm të drejtë vote nuk ka, përndryshe të gjitha garat për kupë i zhvillon si Kosovë dhe merr pjesë në të gjitha aktivitetet e federatës evropiane”, tha zoti Devaja.
Mirëpo, zyrtarët e Minstrisë së Arsimit dhe Sportit të Serbisë, kanë thënë se ekipet e Serbisë nuk mund të zhvillojnë ndeshje me ekipet e Kosovës, pasi sipas tyre kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Hendbollit të Serbisë Bozhidar Gjurkoviq ka thënë se ky është një vendim politik, ashtu siç ka qenë politik sipas tij edhe vendimi për pranimin e Kosovës në Federatën Evropiane të Hendbollit. Kjo e fundit ka pasur parasysh raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kur pas shortit, i cili ka përcaktuar që për herë të parë në gara zyrtare evropiane të luajnë përballë njëri-tjetrit ekipe nga Kosova dhe Serbia, dhe është vendosur që ndeshjet të zhvillohen në terren neutral, përkatësisht në një paralagje të Budapestit në Hungari.
Vendimi i tillë i klubit “Kikinda” nga Serbia nuk i është dërguar klubit gjakovar, prandaj vajzat e “Vllaznimit” nesër nisen për Budapest, tha kryetrajneri i “Vllaznimit”, Lulzim Nagavci. “Sa i përket ndeshjes, ne duhet ta zhvillojmë ndeshjen. Ne kurrfarë konfirmimi nuk kemi marrë nga FEH, kështu që nesër në orën 15.40 nisemi për Budapest”, tha zoti Nagavci.
Mirëpo, ndeshjet që do të duheshin zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, që do të kishin qenë të parat ndërmjet ekipeve nga Kosova dhe atyre nga Serbia në gara ndërkombëtare, nuk do të zhvillohen, pasi qeveria e Serbisë ka vendosur ashtu. Ajo ka marrë përsipër madje edhe rrezikun që të përjashtohet nga garat ndërkombëtare në hendboll, një sport ky mjaft i popullarizuar që i ka sjellë Serbisë edhe trofe ndërkombëtare. Po ashtu, për këtë veprim politik, klubi “Kikinda” mund të dënohet me nga 15 mijë euro gjobë për secilën ndeshje që refuzon ta zhvillojë. Qeveria e Serbisë i ka premtuar klubit se do të marrë përsipër shlyerjen e gjobës.

XS
SM
MD
LG