Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U PËRGËNJESHTRON BEOGRADIN RRETH RASTIT “BABIMOC”


Zijadin Gashi

Zëvendësi i parë i shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Steven Schook i ka përgënjeshtruar sot deklaratat e kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica dhe zyrtarëve tjerë në Beograd, lidhur me akuzat për siç thuhet, sjelljet e policisë së Kosovës gjatë një kontrolli në fshatin Babimoc, të banuar me shumicë serbe, ku policia ishte vënë në kërkim të dëshmive pas vrasjes së policit Avni Kasumi. Zëvendësshefi i UNMIK-ut tha pas takimeve që zhvilloi me ministra të qeverisë së Kosovës, se ka kontaktuar përmes telefonit me zyrtarët e Beogradit të cilët ai i ka siguruar se po bëhen dhe hetime nëse SHPK i ka tejkaluar autorizimet gjatë këtyre bastisjeve, por të gjitha hetimet e deritashme, shtoi ai, tregojnë se SHPK është sjellë konform normave profesionale.
“Kam biseduar në telefon me disa njerëz në Beograd gjatë dy ditëve të fundit. Kam biseduar edhe me Komisionerin e Policisë gjatë vikendit dhe sot (të martën) në mënyrë që të sigurohem se nuk ka pasur keqtrajtim të civilëve gjatë operacionit të kontrollit. Nuk ka indikacione për sjellje të këqija të policisë, por ende nuk i kemi rezultatet finale të hetimeve. Të gjitha indikacionet rreth hetimit të këtij krimi shumë serioz nuk kanë treguar asgjë tjetër përveç një qasjeje shumë profesionale nga Shërbimi Policor i Kosovës. Ky hetim do të tregojë nëse akuzat që janë bërë janë të vërteta apo jo, por indikacionet janë që gjithçka është kryer brenda rregullave, në harmoni me punën dhe standardet e policisë”, tha Schook .
“Nuk mendoj se është e dobishme për liderët politikë që të vijnë në përfundime dhe automatikisht të bëjnë deklarata të tilla”, tha Schook , lidhur me deklaratat e kryeministrit serb Koshtunica. Nuk mendoj se kjo është pjesë e zgjidhjes së problemit dhe nuk është e dobishme, veçanërisht në këtë rajon, dhe unë kam kërkuar nga bashkëbiseduesit e mi në Beograd që të presin dhe të marrin vesh cila është e vërteta para se të nxjerrin konkluzione, theksoi ai.
“Unë jam duke pritur rezultatet e hetimeve dhe do të shohim se çka do të ndodh, por të gjitha indikacionet në këtë çështje tregojnë se hetimi është kryer në mënyrë shumë të rregullt”, theksoi zëvendësshefi i UNMIK-ut. Sipas tij, Komisioneri i policisë së UNMIK-ut, Steve Curtis është duke punuar në hetime dhe ai do të tregojë se si ka rrjedhë operacioni i kërkimit të dëshmive në këtë fshat të banuar me shumicë serbe, ku para 6 ditësh qe vrarë polici Avni Kasumi.
XS
SM
MD
LG