Ndërlidhjet

logo-print

GRUPI POLITIK I NEXHAT DACIT FORMON PARTI TË RE


Zijadin Gashi

Të premten, më 12 janar, Grupi Politik i Nexhat Dacit do të formojë një parti të re politike, qe del si krah Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përplasjet që nga Kuvendi i gjashtë zgjedhor në LDK, kur kjo parti politik u nda në dy krahë politik, tashmë do të rezultojnë me formimin e partisë politike të Nexhat Dacit dhe përkrahësve të tij në LDK. Lulëzim Zeneli ka konfirmuar se të premten, në Prishtinë do të mblidhet Këshilli Nismëtar për formimin e kësaj partie politike, me në krye Nexhat Dacin. Partia e re politike e Nexhat Dacit mëton të kultivojë vazhdimësinë e konceptit politik të themeluesit të LDK-së dhe presidentit Ibrahim Rugova, tha Lulëzim Zeneli.
“Definitivisht më datën 12 ekipi politik i akademikut Nexhat Daci do të dalë me qëndrim të qartë i cili do të konsistojë në krijimin e subjektit të ri politik dhe pikërisht më datën 12 do të mbahet takimi i Këshillit Themeltar të partisë, e cila në një mënyrë do të jetë vazhdimësi e politikës dhe filozofisë 16 vjeçare që ka ndjek presidenti Ibrahim Rugova”, tha Zeneli.
Disa nga anëtarët e Kryesisë së partisë së re politike që do të kryesohet nga Nexhat Daci do të jenë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, sipas Alush Gashit, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike në Kosovë, formimi i kësaj partie nuk do të ndikojë në funksionimin e LDK-së si partia më e madhe parlamentare. Deputeti Gashi thotë se koalicioni LDK-AAK do të ruajë shumicën e nevojshme në Kuvend që do të sigurojë funksionimin e Qeverisë.
“Ai koalicion mund të ndryshojë vetëm me marrëveshje politike të partive politike në koalicion. Ndërsa sa i përket punës brenda grupit parlamentar, pavarësisht se a do të formohen parti tjera apo jo, unë pres një qasje konstruktive nga të gjithë deputetët”, theksoi Gashi.
Në anën tjetër, Lulëzim Zeneli beson se partisë politike të Nexhat Dacit po i bashkohen çdo ditë e më tepër deputetë të LDK-së. Ai thotë se Këshilli Nismëtar do t’i përcaktojë politikat e partisë së re politike edhe në lidhje me pozicionin që do të mbajnë deputetët e grupit politik të Dacit në Kuvendin e Kosovës.
“Ekipi politik i akademik Nexhat Dacit nuk ia ka shtruar vetës si prioritet formimin e grupit parlamentar, mirëpo ajo që është esenciale të theksohet është se një numër i konsiderueshëm i deputetëve tashmë kanë pranuar të gravitojnë në partinë e cila do të ketë për bazë filozofinë që aktualisht udhëhiqet nga akademik Nexhat Daci”, theksoi Zeneli.
Përveç përcaktimit për vazhdimësi të politikës së Ibrahim Rugovës, partia e re politike që del nga LDK-ja, ajo e krahut politik të Nexhat Dacit, mëton të ruajë dhe një pjesë të emrit të LDK-së, përkatësisht është iniciuar emri, Lidhja Demokratike. Mirëpo, për të gjitha këto çështje, si edhe në lidhje me programin e saj, sipas Lulëzim Zenelit, do të vendos Këshilli Themeltar i kësaj partie politike.
XS
SM
MD
LG