Ndërlidhjet

PROPOZIMI PËR STATUSIN PAS 21 JANARIT - DATA E SAKTË ENDE NUK DIHET


Arbana Vidishiqi

Data e saktë kur i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, pritet ta prezantojë propozimin e tij për statusin e Kosovës ende nuk dihet, kanë konfirmuar në zyrën e zotit Ahtisaari në Vjenë. Zëdhënësi I tij, Remi Dourlot, ka rikujtuar deklaratën e 10 nëntorit të vitit të kaluar se propozimi do të bëhet publik menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 21 janarit në Serbi. “Keni të drejtë kur thoni se mund të dëgjohen shumë spekulime dhe të përmenden data nga më të ndryshmet, por ende nuk kemi një datë specifike për ta publikuar”, tha zoti Dourlot. Sipas tij, propozimi aktualisht gjendet në fazën përfundimtare dhe ai duhet të jetë gati deri më datën 21 janar për të mundësuar publikimin e tij menjëherë pas kësaj date. Kërkesën e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq për shtyrje të mëtejshme të publikimit të propozimit deri në formimin e Qeverisë së re në Serbi, zoti Dourlot e ka cilësuar si të pritshme. “Këtë mundësi e kemi pasur në konsideratë edhe gjatë muajit nëntor, por siç e dini deklarata jonë e 10 nëntorit nuk I referohet fare krijimit të Qeverisë së re. Ne do ta prezantojmë propozimin pas zgjedhjeve të 21 janarit », tha zoti Dourlot.
Tash për tash, është duke u shqyrtuar mundësia e një takimi me Grupin e Kontaktit me të cilin deri më tash janë ndarë të gjitha idetë rreth statusit të Kosovës, por edhe për këtë takim zoti Dourlot nuk dha ndonjë datë të saktë, sepse, siç tha ai, ende nuk është vendosur zyrtarisht. Pas këtij takimi ndërkaq, Prishtina dhe Beogradi do të njoftohen me përmbajtjen e propozimit dhe do të kenë rastin të komentojnë mbi të. Duke folur për mundësinë e bisedimeve të reja midis të dyja palëve, zëdhënësi I zotit Ahtisaari tha se kjo çështje varet nga përmbajtja që do të kenë komentet e tyre. “Shumëçka do të varet nga komentet dhe prononcimet e të dyja palëve, por nuk mund të jem më specifik mbi atë se çfarë do të ndodhë pastaj, përveç faktit se pas një kohe të caktuar, propozimi përfundimtar do të dorëzohet në New York , tha zoti Dourlot. Në këtë kuadër, negociatorët kosovarë kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre të përbashkët se mundësitë për të biseduar me Beogradin janë shtjerrë.
XS
SM
MD
LG