Ndërlidhjet

logo-print

KTHIMI I TË ZHVENDOSURVE, PRIORITET EDHE MË 2007


Albana Isufi

Qeveria thotë se edhe në 2007-tën do të angazhohet për kthimin jo vetëm të serbëve, që përbëjnë numrin më të madh të të zhvendosurve, por edhe të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera, që aktualisht jetojnë jashtë shtëpive dhe pronave të tyre. Zëvendëskryeministri I Kosovës Lutfi Haziri, I cili kryeson grupin punues të standardit “Lëvizja e Lirë dhe Kthimi I Qëndrueshëm”, ka vlerësuar se në këtë fushë është arritur një përparim.
“Qeveria edhe këtë vit do të angazhohet që gjatë definimit të statusit final ta ruajë besimin tek qytetarët se ky prioritet do të vazhdojë. Ne do ta ruajmë angazhimin deri në fund në mënyrë që të sigurohet e drejta e qytetarit, e çfarëdo grupi etnik qoftë ai, edhe në brendësi të Kosovës, edhe në juglindje për qytetarët serbë të Kosovës, edhe për ata që jetojnë në veri, e që është një numër i madh i qytetarëve shqiptarë që duhet të kthehen”, tha Haziri.
Haziri ka premtuar se qeveria do të vazhdojë angazhimet në koordinim me qeverinë e Serbisë, atë të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, që t’i finalizojë veprimet që kanë të bëjnë me kthimin e të zhvendosurve. Sipas Hazirit, janë mbi 60 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në këto tri shtete dhe presin krijimin e kushteve më të mira për t’u kthyer në vendin e origjinës së tyre.
Shahzad Bangash, përfaqësues i UNMIK-ut për çështjen e kthimit, në takimin e grupit punues për Kthim të Qëndrueshëm tha se përqendrimi i të gjitha institucioneve në kthimin e të zhvendosurve dhe lirinë e lëvizjes është i kënaqshëm.
“Ka pasur një progres të qëndrueshëm dhe ne gjithashtu jemi të kënaqur me hapat e ndërmarrë nga qeveria për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha Bangash.
Por, pavarësisht këtij përqëndrimi, Bangash nuk mund të caktojë ndonjë afat kohor, se kur do mund të ktheheshin të gjithë të zhvendosurit.
“Kur flas për kthimin e njerëzve në vendbanimet e tyre, unë flas për të gjithë njerëzit e Kosovës, pa dallim, duke nënkuptuar edhe kthimin e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha Bangash.
Zyrtarët e qeverisë dhe të UNMIK-ut vazhdimisht kanë vlerësuar se një nga pengesat për kthim të qëndrueshëm është buxheti I pamjaftueshëm në krahasim me kërkesat e atyre që dëshirojnë të kthehen. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Kthimit thonë se 60 përqind e buxhetit të kësaj ministrie dedikohet për kthimet e qëndrueshme, ndërsa 40 për qind për trajtimin e komuniteteve brenda vendit dhe për të siguruar ekzistencën e tyre.
Ministri i kthimit Branislav Gërbiq thotë se për një kthim të qëndrueshëm duhet krijuar kushtet ekonomike. “Komunat duhet të zhvillojnë komponentët ekonomikë në kuptimin që kthimi të jetë i qëndrueshëm. Do të thotë, e shumta që mund të ofrohet është ajo që kanë bërë njerëzit më parë. Më pas duhet përkrahur iniciativa e krijimit të komponentëve ekonomike, të cilat paraqiten përmes projekteve të kthimit, përmes komponentëve të bujqësisë, të cilat do të krijonin prodhim të lartë të artikujve që të kthyerit mund t’i shesin dhe të sigurojnë mjete financiare nga të cilat do të jetonin”, thotë Gërbiq.
Ndryshe, zyrtarë të ministrisë së Kthimit, thonë se kthimi individual është më i mirë krahasuar me kthimet grupore.
Projektet e kthimit i zbaton Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, program ky që po ashtu ka vlerësuar se kthimi individual është më i suksesshëm sesa ai grupor.

XS
SM
MD
LG