Ndërlidhjet

FEVZIU:"KRIZA NË SHQIPËRI DËMTON RËNDË PROCESIN E STATUSIT FINAL TË KOSOVËS"


Blendi FEVZIU, analist nga Tirana

RADIO EVROPA E LIRË
Situata parazgjedhore në Shqipëri, po merr trajtën e një krize të vërtetë zgjedhore, për shkak të mungesës së një konsensusi mes Partisë Demokratike dha Partisë Socialiste. Cili është shkaku real që stimulon këtë situatë?

BLENDI FEVZIU
Përshtypja ime është që gjithçka vjen nga mosbesimi i dyfishtë i dy palëve politike, që kanë gjetur si pikë debati problemin e çertifikatave. Besoj që të paktën deri në fillim të janarit problemi ishte më shumë politik dhe që pjesa më e madhe e forcave politike kërkonin ta kthenin atë në favor të tyre, duke treguar provën e forcës, por pas kësaj që po ndodh ditët e fundit, unë mendoj që përgjegjësia kryesore i takon opozitës, e cila nuk po pranon të marrë pjesë në një proçes zgjedhor duke gjetur artifice për të justifikuar mospjesëmarrjen e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Një ditë më parë ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, u ka bërë thirrje partive politike për gjetjen e një rruge të përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve, por është shprehur se nuk do ta lërë PS relike në Pezë. Si e shihni ju këtë qëndrim të z. Nano? A bën ai përgjegjës në njëfarë mënyre kryetarin aktual të Partinë Socialiste, z.Rama?

BLENDI FEVZIU
Nuk ka ende një konflikt të hapur midis kryetarit aktual të Partisë Socialiste dhe ish kryetarit z. Nano. Ishte i pritshëm një përfshirje e z. Nano në krizë për arsye se zgjatja e krizës do ta faktorizonte me çdo kusht atë. Duke se kjo ka ndodhur. Ish kryeministri dhe ish kryetar i Partisë Socialiste Fatos Nano ka takuar kryeministrin e vendit, z. Sali Berisha dhe të dy bashkë kanë nënshkruar një deklaratë e cila iu bën thirrje palëve të heqin dorë nga politika e konfliktit dhe të kthehen në politikën e kompromisit e të mirëkuptimit. Një deklaratë e cila pavarësisht se mund të ngjajë disi e çuditshme në kontekstin e raporteve Nano- Berisha, që vazhdimisht kanë qenë konfliktuale, për momentin ndikon me tone mjaft pozitive. Nga ana tjetër lëvizja e Nanos do të krijojë një lloj destabiliteti brenda së majtës dhe një problem për Ramën. Është një deklaratë që del nga një takim në të cilin të dy palët nuk kanë artikuluar terma konkretë të zgjidhjes së problemit aktual, por kanë bërë një shikim afatgjatë në kuptimin që në deklaratë flitet jo vetëm për zgjidhjen e krizës zgjedhore, problemin e çertifikatave apo implementimin e marrëveshjes së 30 dhjetorit, por flitet në radhë të parë për një mundësi konsensusi bipartizan për problemet të tjera të rëndësishme të politikës shqiptare. Ndaj duket se takimi Berisha - Nano më shumë se zgjidhje e krizës së momentit ishte një tentativë për një koncensus afatgjatë për zgjidhjen e një mazhorance stabël, prej 84 votash e cila do të shërbente për zgjidhjen e disa problemeve me të cilat do të përballet vendi në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni disa probleme keni parasysh edhe zgjedhjen e Presidentit?

BLENDI FEVZIU
Padyshim edhe zgjedhjen e Presidentit. Kushtetuta e Shqipërisë e parashikon zgjedhjen e Presidentit në mënyrë konsensuale me 84 vota dhe jo bllokimin e parlamentit për hir të tij. Se ç'do të ndodhë është e vështirë të thuhet por unë besoj se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për arsye të problemit të presidentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa dëmton proçesin e integrimit të Shqipërisë në institucionet euroatlantike, kjo krizë, dhe po ashtu a ndikon kjo në proçesin e përcaktimit të statusit të Kosovës?

BLENDI FEVZIU
Padyshim e dëmton në mënyrë ekstreme. Unë them që dëmi që ne kemi marrë aktualisht është shumë i madh. Nëse zgjedhjet do vazhdojnë të shkojnë me probleme ose kriza do thellohet, ato do të jenë akoma më të forta. Pra penalitetet që do të marrë Shqipëria do të vijnë e do të konkretizohen. Kështu që besoj që në këtë aspekt ne kemi humbur shumë. Nga ana tjetër ne dëmtojmë rëndë proçesin e statusit final të Kosovës, për arsye se fakti që Shqipëria nuk krijon dot prej 15 vjetësh stabilitet politik në Ballkan dhe nuk instalon dot standartet normale demokratike, mund ta bëjnë komunitetin ndërkombëtar të mendojë që krijimi i një shteti të dytë me shqiptarë në Ballkan do të jetë problematik ashtu sikurse Shqipëria. Kështu që në këtë aspekt, ne jemi duke ndëshkuar jo vetëm vetveten, për të cilën mbajmë edhe përgjegjësi, por edhe kosovarët të cilët janë pranë konkretizimit të një ëndrre njëqind vjeçare. Nuk duhet t'ia lejojmë vetes të ndëshkojmë edhe ata.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG