Ndërlidhjet

KUPCHAN:"ZBUTET QËNDRIMI I SHBA-ve PËR PROCESIN E STATUSIT TË KOSOVËS"


Charles KUPCHAN, analist në Universitetin Gerogetown/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se Prishtina dhe Beogradi sërish duhet të bisedojnë. Cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara në këtë plan dhe në përgjithësi përballë statusit të Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Në gjashtë muajtë e fundit kemi një zbutje të pozicionit të Shteteve të Bashkuara. Fillimisht kishim qëndrimin e administratës në Uashington sipas të cilit raporti për statusin duhej të mbyllej deri në fund të vitit 2006 dhe ai duhej të propozonte pavarësinë e Kosovës. Prej asaj kohe, kemi vendimin për shtyerjen e raportit, pra që konkluzionet e Ahtisarit të publikohen pas zgjedhjeve në Serbi, ndërsa tash shohim sinjalizime të një gatishmërie për kthim në tryezën e negociatave. Zbutjen e këtij pozicione e kanë shkaktuar disa faktorë. Një prej tyre është se publikimi i raportit për statusin e Kosovës, në këtë çast do të forconte pozicionet e nacionalistëve radikalë serb. Arsye tjetër është fakti se Rusia hapur kundërshton vendimin për pavarësinë. Këto gjëra kanë brengosur Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian dhe kjo ka ndikuar që gjërat të ngadalsohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Grupit të Kontaktit është se nuk do të ishte mirë që propozimi të dërgohet në Këshillin e Sigurimit para se të sigurohet mbështetja e Rusisë për te. A mendoni se Rusia do të mbështetë propozimin e Ahtisarit apo mbase do ta shfrytëzoj të drejtën e vetos?

CHARLES KUPCHAN
Do të ketë shumë negociata prapa skenës. Tashmë janë duke u zhvilluar bisedime intenzive ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Moskës në përpjekjet për të gjetur gjuhë të përbashkët. Mendoj se rusët do të kërkojnë kompenzim, por nuk besoj se në fund të procesit ata do të vëjnë veto për pavarësinë e kushtëzuar. Interesat e tyre në Ballkan nuk janë të mëdha. A ia vlenë që Putini të rrezikojë përçarje me presidentin Bush dhe homologët tjerë evropianë për shkak të Serbisë ose Kosovës? Unë mendoj se jo. Rrjedhimisht, parashikoj se rusët do të abstenojnë nga votimi në Këshillin e Sigurimit ose nëse do t'u ofrohet diçka atëherë mbase edhe do të votojnë bashkë me shumicën.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse statusi i Kosovës do të jetë "pavarësi e mbikqyrur", si do të rezultoj ai, me stabilitet apo jostabilitet rajonal?

CHARLES KUPCHAN
Në planin afatshkurtër "pavarësia e mbikqyrur" mund të paraqetë një "goditje" për rajonin, sepse mund të ketë një dridhje në Serbi dhe demokracinë e saj, një çast për nacionalistët ekstrem serb. Madje mund të ketë edhe zhvendosje. Kam dëgjuar disa serb të thonë se në rast të pavarësisë ata do të braktisin Kosovën. Nga ana tjetër disa elementë në Republikën serbe të Bosnjës do të thonë se nëse Kosova mund të braktisë Serbinë, atëherë ne mund t'i bashkohemi Serbisë.
Por, në planin afatgjatë vendimi në drejtim të pavarësisë, të kushtëzuar ose jo, do të ndihmoj stabilitetin e rajonit. Pavarësinë e tashme "de facto" do ta shëndrronte në pavarësi "de jure". Definimi i statusit të Kosovës gjithashtu do të hapte rrugën për integrimin e gjithë teritorit të ish – Jugosllavisë dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns ka thënë se Shtetet e Bashkuara publikisht nuk mbështesin asnjë opcion të caktuar për statusin e Kosovës. Por, a mendoni se ka një opcion që është prapa dyerve të mbyllura të Uashingtonit për Kosovën?

CHARLES KUPCHAN
Koncenzusi i përgjithshëm në Uashington prapa idesë për pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit 2006 ose deri në raportin e Marti Ahtisarit pak është zbutur dhe ndoshta ka humbur pozicionin dominant. Por, besoj se brenda administratës ende është e pranishme preferenca e dëshiruar për një formë të pavarësisë - pavarësisë së ksuhtëzuar ose pavarësisë graduale. Pra pavarësisht nga fakti që duket se në gjashtë muajt e fundit ka zbutje të pozicionit të Shteteve të Bashkuara, besoj se në Uashington dhe në shumicën e qendrave evropiane dominon bindja se Kosova duhet të lëvizë drejt shtetit të pavarur.

Intervistoi: B. TRIVIC
XS
SM
MD
LG