Ndërlidhjet

DACI: NUK E KEMI NË PLAN DESTABILIZIMIN E INSTITUCIONEVE, POR…


Zijadin Gashi

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci dhe krahu i mbështetësve të tij politikë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kanë formuar sot parti politike, me emrin Lidhja Demokratike. Duke u shkurorëzuar definitivisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Nexhat Daci dhe mbështësit e tij në këtë parti politike, thanë se Lidhja Demokratike do të jetë vazhdimësi e politikës së presidentit Ibrahim Rugova. Këshilli Nismëtar i mbajtur sot në Prishtinë, vendosi që Lidhja Demokratike të mbajë Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor në muajin shkurt. Drejtuesi i LD-së, Nexhat Daci ka shpalosur pikat themelore të koncepteve politike të partisë së tij, që sikurse edhe të gjitha partitë tjera shqiptare të Kosovës, si qëllim kryesor kanë pavarësinë e Kosovës dhe qasjet integruese. “Kosova do të jetë shtet sovran dhe I pavarur, prosperues dhe me zhvillim demokratik të gjithmbarshëm që të jetë anëtare e BE-së dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës“, tha Daci.
Në Këshillin Nismëtar të LD-së së Nexhat Dacit, kanë marrë pjesë dhe gjashtë deputetë të LDK-së. Pavarësisht këtij fakti, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha tha se nuk sheh arsye që të dyshohet për ndonjë krizë tek grupi parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe nuk sheh ndonjë rrezik që kalimi I këtyre deputetëve tek partia e Nexhat Dacit të rrezikojë koalicionin qeverisës.
“Unë mendoj se të gjithë deputetët e parlamentit të Kosovës janë të vetëdijshëm se bllokada nuk përkon me realitetin në këto momente. Ata do të jenë prapë në parlament dhe do ta ruajmë unitetin siç e kemi pasë deri tash, do të jemi bashkë për çështjet kruciale”, tha Berisha.
Në anën tjetër, ish kolegu i tij nga LDK-ja, tani prijës i LD-së, Nexhat Daci tha se partia e tij nuk ka si qëllim të vetin rrënimin e institucioneve. Por, ai tha po ashtu se nuk do t’i mbështesë qeverinë dhe as institucionet e Kosovës, nëse ato nuk arrijnë t’i përmbushin objektivat dhe qëllimet e veta në lidhje me statusin e Kosovës.
“Si parim universal nuk e kemi në plan t’I destabiliziojmë institucionet deri në përfundim të mandatit. Por, nëse ato institucione bëhen të papërgjegjshme në këtë fazë kritike që po hyjmë, atëherë po. Në qoftë se devijon nga dy dokumentet themelore, atë që ekipi Rugova – Daci – Kosumi I ka dorëzuar presidentit Ahtisari si platformë politike të konceptit të ecjes dhe në qoftë se shkelet Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, në qoftë se Kosovës do t’I paraqiten ato që kam thënë unë diçka me prefikse ose sufikse, ne nuk do ta mbështesim”, theksoi Daci.
Lidhja Demokratike e Nexhat Dacit, doli fillimisht si krah politik i pakënaqur me udhëheqjen aktuale të LDK-së. Pakënaqësitë dhe thyerjet u reflektuan haptas në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të LDK-së. Me formimin e partrisë së re, Nexhat Daci synon të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme të lira, që vlerësohet të jenë të parat në Kosovën me status të zgjidhur.
XS
SM
MD
LG