Ndërlidhjet

logo-print

LUGINA E PRESHEVËS SIGURON MBËSHTETJE PËR TË DALË NË ZGJEDHJET E 21 JANARIT


Rrahman Paçarizi

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë mbështetur sot pjesëmarrjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë që pritet të mbahen më 21 janar, ndërkohë që ende nuk ekziston një qëndrim unik i subjekteve të atjeshme politike lidhur me pjesëmarrjen apo jo në këto zgjedhje. Kështu është thënë sot pas takimeve që ka pasur në Prishtinë një delegacion nga Lugina e Preshevës, udhëhequr nga Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje e sheh si formë të artikulimit të interesave të tyre për ndërtimin e institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare. “Është një qëndrim i përbashkët i ekipit të unitetit se mbështesim qëndrimin e tyre që të jenë pjesë e procesit dhe që të kontribuojnë maksimalisht në jetë sa më normale në stabilitetin e përgjithshëm dhe në realizimin e interesave të qytetarëve”, tha presidenti Fatmir Sejdiu, ndërkohë që çështja e njëjtë është diskutuar edhe në takimin e delegacionit nga Lugina e Preshevës me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha, i cili u sugjeroi mysafirëve daljen në zgjedhje. “Ne e kemi peshuar mirë në Kosovë, dhe klasa politike e Kosovës është për atë që Lugina e Preshevës të dalë në zgjedhjet serbe se pse vetëm aty mund të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohet për çdo ditë”, tha zoti Berisha.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik në Luginën e Preshevës Riza Halimi, bëri të ditur se koalicioni i shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka një program zgjedhor që bazohet në platformën politike të shqiptarëve të vitit të kaluar. “Siç shihet ka mbështetje të fortë edhe nga Presidenti Sejdiu, nga kryetari i Qeverisë Çeku edhe nga kryeparlamentari Berisha sikur që mori edhe përkrahjen edhe nga institucionet më të larta të Shqipërisë por edhe të SHBA,Bashkësisë Evropiane dhe në përgjithësi të komunitetit ndërkombëtar”, tha zoti Halimi.
Riza Halimi tha se besonte që do të mund t’u sigurojnë shqiptarëve të Luginës së Preshevës një jetë më të mirë, siguri, ekonomi më të qëndrueshme, si dhe statusin juridik të shqiptarëve të kësaj ane.
Megjithatë, nuk ka një konsensus të plotë të subjekteve politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë, pasi disa parti politike të dala nga lufta, pas shpërbërjes së gueriles shqiptare atje, kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në ato zgjedhje.
XS
SM
MD
LG