Ndërlidhjet

INVESTIMET KAPITALE KËTË VIT KAPIN SHUMËN PREJ 181 MILIONË EUROSH


Nadie Ahmeti

Nga buxheti i konsoliduar i këtij viti prej 717 milionë eurosh, është planifikuar që 181 milionë euro të shpenzohen për investime kapitale që kanë të bëjnë më përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme në Kosovë.
Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, tha se në krahasim me vitin e kaluar, ku për investime kapitale janë shpenzuar vetëm 61.70 milionë euro, në këtë vit dukshëm është rritë shuma për këto investime. “Çdo vit faktikisht rriten investimet kapitale, rritet edhe buxheti. Mirëpo vlen të theksohet se kjo shifër edhe brenda këtij viti do të rritet, sepse janë edhe 30 milion euro për komunat. Dhe një pjesë prej tyre do të hynë në investimet kapitale, dhe shpresojmë se kjo shifër do të rritet prapë”, tha zoti Shahini.
Shuma e planifikuar për investime kapitale është e mjaftueshme, nëse menaxhohen në mënyrë efikase nga agjencitë buxhetore, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Muhamet Sadiku, pohon se në Kosovë ka hapësirë të mjaftueshme për përmirësimin e infrastrukturës si në nivelin qëndror ashtu edhe në nivelin lokal.
“Problemet më të cilat Kosova do të ballafaqohet edhe në periudhat e ardhshme është infrastruktura joadekuate si pjesë përbërëse. Në radhë të parë për krijimin e një mjedisi biznesi më të favorshëm ekonomik, këtu kam parasysh rrjetin e rrugëve, problemet e infrastrukturës ekonomike, në radhë parë mendoi në problemet nga sektori i energjisë”, tha zoti Sadiku .
Edhe në Strategjinë e Përgjithshme të Zhvillimit Ekonomik për periudhën 2007-2013 është paraparë që të rritet niveli i pjesëmarrjes së shpenzimeve për investimet kapitale, tha Muhamet Sadiku, i cili njëherit ka qenë edhe udhëheqës i sekretariatit për hartimin e kësaj strategjie
“Kështu që ne vlerësojmë se në vitin 2009 pagat do të duhej të kishin një pjesëmarrje deri në 27 përqind, mallrat dhe shërbimet 21 përqind dhe kjo do të shkonte në ngritjen graduale të pjesëmarrjes për investime publike në buxhet”, tha zoti Sadiku.
Për shfrytëzimin e këtyre mjeteve duhet pasur kujdes të shtuar, tha zoti Sadiku, dhe të mos bëhen gabime si në të kaluarën. Ai tha se të gjitha agjencitë buxhetore duhet të identifikojnë projektet e tyre, të cilat reflektojnë qëndrueshmëri në zhvillimin e ardhshëm ekonomik.
“Unë mendoj se Kosova ende ka nevojë për avancimin e sistemit të menaxhimit, sidomos të menaxhimit të shpenzimeve buxhetore. Por në të njëjtën kohë të gjitha ministritë kanë obligim që ti identifikojnë projektet e tyre dhe të bëjnë analiza të duhura”, tha zoti Sadiku.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave, sipas ligjit për menaxhimin e financave, është e obliguar që çdo tre muaj të përgatitë raporte për shpenzimet buxhetore, të cilat u dërgohen institucioneve më të larta vendore dhe ndërkombëtare, tha Muharrem Shahini, nga kjo ministri.
“Janë raportet mujore që i ka departamenti i Thesarit. Dhe pastaj janë raportet tre mujore të cilat i dërgohen qeverisë për raport, i dërgohen Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesit special të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ne i kemi nën kontroll shpenzimet në total”, tha Shahini.
Ndryshe, nga buxheti i vitit të kaluar prej 616 milionë eurosh, shpenzimet për investime kapitale kanë arritur vetëm në 15.4 për qind, 10 për qind më pak se sa është paraparë në buxhetin e këtij viti.
XS
SM
MD
LG