Ndërlidhjet

SHKULLAKU:"MARRËVESHJEN ZGJEDHORE E BËRI TAKIMI BERISHA - NANO"


Armand SHKULLAKU, analist nga Tirana

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ka kushtëzuar marrëveshjen e
mbrëmshme mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri?

ARMAND SHKULLAKU
Më në fund mund të themi që pas kaq kohësh, pas kaq javësh lajme të këqija me dhe ngërçin politik ku kishin hyrë forcat politike duke rrezikuar deri dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, më në fund u arrit marrëveshja mes tyre. Unë do të thoja që kjo marrëveshje në thelb nuk ka sjellë diçka të re që t'i japë më shumë garanci palëve. Ajo ka vërtetuar edhe një herë që i gjithë debati mes tyre, për më tepër, insistimi i opozitës për një çështje teknike siç ishte ajo e çertifikatave, mund të ishte zgjidhur edhe më parë. Për mendimin tim ajo që ka përshpejtuar dhe ka detyruar opozitën të vërë firmën, kryetarin e saj të vendosë firmën mbi këtë marrëveshje ka qenë dalja e ish kryeministrit Nano në krah të z. Berisha, i cili ka lënë të kuptohet qartë se nëse lidershipi aktual i Partisë Socialste nuk do të firmosë këtë marrëveshje, z. Nano bashkë me përkrahësit e tij mund t'i drejtohej parlamentit e të bashkonte votat me mazhorancën për të miratuar Kodin e Ri zgjedhor.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se do arrihet zbatimi i saj, a ekziston përsëri një dozë rreziku, që ajo bëhet e pavlefshme?

ARMAND SHKULLAKU
Unë kam një lloj pesimizmi në këtë pikë. Duke pasur parasysh backgrond-in që çoi në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kundërshtimet shpesh herë absurde të pikave të ndryshme, unë kamë një dozë pesimizmi, pasi them se në një moment të caktuar dikush mund të dalë e të vendosë një kusht të ri, për të mos njohur atë që ka firmosur. Por do thoja që kjo marrëveshje e nënshkruar, të paktën siç kanë pretenduar palët deri tani, u jep atyre garancinë e mjaftueshme që proçesi parazgjedhor e ai zgjedhor të zhvillohen pa probleme.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush z. Shkullaku sa ka ndikuar faktori ndërkombëtar në këtë marrëveshje dhe a mund të na thoni ju pse klasa politike në Shqipëri nuk arrin lehtësisht marrëveshje të tilla?

ARMAND SHKULLAKU
Ky është nga rastet më evidente ku faktori ndërkombëtar ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Çdo ditë, gati disa herë në ditë, aktorë të ndryshëm qoftë nga BE qoftë nga SHBA apo prezenca ndërkombëtare në Tiranë, Ministria e Jashtme spanjolle ajo gjermane, kanë luajtur një rol të padiskutueshëm e një rol vendimtar në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Unë do të thosha se kjo nuk përbën një risi për politikën shqiptare, së cilës shpesh herë i është dashur ndërhyrja që palët të gjejnë koncensus mes tyre. Unë mendoj se kjo vjen për shkak se të dy forcat kryesore politike në Shqipëri kanë humbur besimin tek njëra-tjetra, dhe kjo bën që ato shpesh herë të mos lëshojnë në pikat për negociata, dhe kuptohet në një situatë të tillë duhet gjithmonë ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar. Por partneri ndërkombëtar, do thoja, merr rëndësi e i detyron palët të ulen në tavolinë sepse edhe vetë qytetarët shqiptarë kanë humbur besimin tek politika e tyre dhe vetëm ndërhyrjet apo deklaratat apo vendimet e ndërkombëtarëve krijojnë atë koefiçent të nevojshëm autoriteti të cilët i detyron pastaj palët t'i përgjigjen për të mos humbur më shumë besimin tek qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të paguajë Shqipëria një çmim për këtë zvarritje të proçesit zgjedhor por edhe të akordit mes palëve?

ARMAND SHKULLAKU
Shqipëria po paguan një çmim të shtrenjtë. Situata absurde në të cilën ka hyrë vendi, do thosha është një rast i rrallë, ku një vend nuk arrin dot të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. pavarësisht që marrëveshja u arrit, në të gjitha raportet ndërkombëtare, shtypin ndërkombëtar, Shqipëria shndërrohet në një vend ku forcat politike nuk janë të afta të bëjnë marrëveshje mes tyre e të bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme. Mjafton kaq që Shqipëria të bëjë hapa mbrapa në proçesin e integrimit në BE dhe në NATO. Është një faturë që duhet t'i rëndojë politikanëve shqiptarë, pasi aktualisht Shqipëria ishte në momentet e saj më të mira për t'u afruar me BE dhe NATO-n.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG