Ndërlidhjet

ISUFI: KOSOVËS TASH I DUHET STABILITET DHE JO ANARKI


Ahmet ISUFI, nënkryetar i AAK

EVROPA E LIRË
Z Isufi, në 10 ditët e ardhshme emisari i OKB-së për statusin pritet të paraqesë propozimin për statusin. Çfarë prisni ju nga kjo pako, që është vlerësuar se do të jetë gjithëpërfshirëse?

AHMET ISUFI
Ne presim që pakoja e Ahtisarit të jetë një përshkrim i përgjithshëm i gjendjes më Kosovë dhe i rrethanave të Kosovës dhe gjithë ajo që është përmbajtje e Kosovës. Në bazë të dokumentit të Ahtisarit pastaj edhe Këshilli i Sigurimit do të marrë vendim, qoftë përmes një rezolute, apo dokumenti, i cili garanton statusin e Kosovës. Presim që të jetë një dokument pozitiv ashtu siç ka ecur Kosova në rrafshin politik dhe po ashtu diplomatik për ndikim që të ketë një status të pavarur dhe besojmë se do të jetë krahas rrethanave, një dokument i cili do t’i përgjigjet realitetit të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Disa meida perëndimore kanë përmendur mundësinë se z.Ahtisari do të propozojë pavarësinë e mbikëqyrur. Çfarë informacionesh keni ju?

AHMET ISUFI
Ne besojmë se opinioni ndërkombëtar dhe sidomos diplomacia, që sot vendos për zhvillimin e gjithmbarshëm në Evropë, është në një orientim që Kosova të ketë pavarësinë. Ju i dini edhe deklaratat e shumta të përfaqësuesve të jashtëm, të cilët sot janë me ndikim sidomos Grupi i Kontaktit dhe vendet të cilat kanë një demokraci më të avancuar, janë në anën e një Kosove të pavarur, e cila normalisht do të kishte një asistencë të trupave ndëkrombëtare në Kosovë, në këtë rast të NATO-s, po ashtu edhe të ekzistimit të një mbikëqyrjeje nëse mund të themi, por më shumë është një lloj i këshilldhënies sesa i një roli çfarë e ka sot UNMIK-u, apo një mekanizëm, i cili do të mund te dominonte ende në ato që janë vlera kapitale të Kosovës për të vendosur për to.

EVROPA E LIRË
Z. Isufi, Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket statusit. Duke marrë parasysh këtë, sa mendoni se do të përmendet fjala pavarësi në pakon e Marti Ahtsiarit?

AHMET ISUFI
Siç e theksova, pakoja do të ketë një përbërje, një përmbajtje çfarë është Kosova sot. Ndërsa, ne e dimë se një vendim politik që do të duhej te merrej për Kosovën është në një nivel tjetër dhe ne bazë të këtij dokumenti do të ketë edhe një sugjerim për statusin e Kosovës. Ne besojmë shumë se do të jetë pavarësia e Kosovës, për arsye se edhe shtetet përreth nesh, përveç Serbisë, kanë një ndikim mund të them pozitiv në këtë drejtim, sepse pavarësia e Kosovës nuk i pengon vendet përreth në zhvillimin e tyre, përkundrazi do të jetë fakt i stabilitetit në rajon, dhe po ashtu vendet të cilat sot dominojnë edhe për nga niveli strategjik, politik dhe ekonomik janë në anën tonë. Prandaj, besojmë se pavarësia do të jetë e pashmangshme në këtë rast.

EVROPA E LIRË
Z. Isufi ditëve të fundit është paralajmëruar mundësia e negociatave shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi që z. Ahtisari të paraqesë propozimin për statusin. A do të pajtoheshit si subjekt politik me negociata shtesë?

AHMET ISUFI
Ne besojmë se më shumë do të jenë konsultime me Ahtisarin në këtë rast dhe me bashkësinë ndërkombëtare, sepse negociatat në raportin Beograd- Prishtinë janë treguar të pafrytshme. Andaj nëse ka diçka në këtë drejtim, do të jetë angazhimi për t’u konsultuar rreth dokumentit se sa mund të pajtohen palët ose jo, por ne besojmë se do të jetë një afat shumë i shkurtër në ndonjë takim, sa për të arritur deri te një konkludim përfundimtar rreth dokumentit.

EVROPA E LIRË
Kur mendoni se do të arrihet ky konkludim, apo thjesht kur do të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës?

AHMET ISUFI
Ne po besojmë se është momenti i fundit kur duhet të vendoset për Kosovën. Cdo shtyrje e mëtutjshme do të rrezikojë procesin, sepse një shtyrje që është bërë ju e dini se çfarë zhgënjimi ka mbërritur tek qytetarët e Kosovës dhe te njerëzit të cilët kanë pritur vendosjen e statusit, ndërksa edhe bashkësia ndërkombëtare do ta ketë parasysh se duhet të vendosë në raport me rrethanat ekzistuese. Në këtë rast konsiderojmë se në një afat sa më të shpejtë kjo duhet të bëhet, sepse është në interesin edhe të Kosovës ku ka investuar shumë bashkësia ndërkombëtare, dhe po ashtu do të krijohet një stabilitet edhe në rajon.

EVROPA E LIRË
Thoni, në afat sa më të shpejtë. A mund të jeni më konkret?

AHMET ISUFI
Po, do të duhej të ishin muajt e parë të pranverës dhe të mos largohet më tutje. Do të duhej të merrej një vendim ashtu siç u mor mbi sulmet që u bënë mbi Jugosllavinë, sepse reagimet e shpejta kur përfundojnë bisedimet janë më të frytshme. Në këtë rast do të donim që bashkësia ndërkombëtare të kuptojë se bisedimet kanë përfunduar dhe më s’ka çka të bisedohet, ndërsa tani duhet të bëhet akti. Akti është nënkuptimi i shpalljes së pavarësisë në këtë rast, i pranimit qoftë me një dokument nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, qoftë në mënyrë të njëanshme nga SHBA dhe nga shtetet tjera, të cilat veç janë të përcaktuara për pavarësinë e Kosovës.

EVROPA E LIRË
T’u kthehemi zhvillimeve në vend. Të premten e kaluar, ish kryetari i Kuvendit Nexhat Daci ka formuar një parti të re, duke u ndarë kështu nga LDK-ja, me te cilën partia juaj është në koalicion qeveritar. Sa është i rrezikuar koalicioni qeverisës, kur merret parasysh se z. Daci ka pas vetes 6 deputetë, të mjaftueshëm për të krijuar grup të ri parlamentar?

AHMET ISUFI
Ne i kemi përcjellë këto zhvillime dhe janë zhvillime të cilat normalisht në situatën në të cilën është Kosova edhe ndodhin, sepse edhe pas vdekjes së Rugovës, LDK si nëj lëvizje që ka qenë ka humbur të qenit lëvizje, dhe është shndërruar në parti politike e natyrisht këtu edhe ka interesa dhe normalisht që është pritur edhe ndarja. Krijimi i një partie të re politike është në vazhdën e zhvillimit të pluralizmit politik në Kosovë dhe ne e shohim si një reagim normal në kuptimin e zhvillimit si parti politike. Do t’i kemi partnerë, siç kemi qenë me të gjitha partitë politike dhe do të synojmë, që gjithë angazhimi ynë i përbashkët të jetë për një shtet demokratik, i cili e ngrit nivelin e vlerës politike ne Kosovë. Besojmë se z. Daci do të jetë i kujdeshëm në qasjen ndaj institucioneve duke pasur parasysh statusin e Kosovës, duke pasur parasysh edhe rrethanat ekzistuese. Kosovës i duhet një stabilitet më shumë sesa një anarki në momentin e tanishëm.
Intervistoi Albana ISUFI

XS
SM
MD
LG