Ndërlidhjet

MASAT E SIGURISË GJATË PËRCAKTIMIT TË STATUSIT


Rrahman Paçarizi

Përgjegjësit e sigurisë në Kosovë ndihen mjaft të aftë për t’u ndeshur me sfidat eventuale të sigurisë, me rastin e kulmimit të procesit për zgjidhjen e statusit, ndërkohë edhe llogarisin në bashkëpunim të ndërsjelltë. Forca paqeruajtëse e NATO-s pas riorganizimit, ka rritur efikasitetin dhe aftësinë e ndërhyrjes së shpejtë, thonë zyrtarët e KFOR-it. Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë ka më shumë se 16 mijë ushtarë. Zëdhënësi i paqeruajtësve, koloneli Reiner Senger, tha se KFOR-i është më i vendosur se kurrë për të garantuar sigurinë gjatë kësaj periudhe kruciale për Kosovën.
“KFOR-i gjithmonë mban në nivel të lartë gatishmërinë për të qenë në gjendje të intervenojë anembanë Kosovës brenda kohës së shkurtër”, tha koloneli Senger, duke mos dhënë detaje të përgatitjeve që ka bërë ose po bën forca paqeruajtëse për t’u përballur me sfidat e sigurisë gjatë përcaktimit të statusit.
Ndërkaq, zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani tha se aktualisht është në fuqi faza parapërfundimtare e planit operativ “Siguria e rreptë”.
“Ne kemi disa faza të sigurisë së rreptë, siç njihen me zhargonin policor. Aktualisht jemi në fazën e tretë të planit operativ “Siguria e rreptë” që është faza e parafundit para zgjidhjes së statusit të Kosovës. Pasi të përcaktohet statusi, do ta kemi edhe fazën e katërt të “Sigurisë së rreptë”, pasi jemi duke planifikuar që gjithçka që ka të bëjë me rendin dhe qetësinë publike të shkojë në rregull”, tha zëdhënësi i policisë kosovare Veton Elshani, sipas të cilit forca e Shërbimit Policor të Kosovës që përbëhet nga rreth 7300 policë të uniformuar, është krejtësisht e aftë të përballet me ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike gjatë procesit të përcaktimit të statusit dhe pas tij.
“Ne mendojmë se kemi kapacitete të mjaftueshme për ta arritur synimin tonë, që gjendja e sigurisë, rendi dhe qetësia publike të jenë në nivel, gjithnjë duke pasur parasysh se kemi bashkëpunim të ngushtë me policinë e UNMIK-ut dhe me KFOR-in”, shtoi Elshani.
Në anën tjetër, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Senger tha se nuk janë ndërmarrë masa të veçanta sigurie.
“Ne nuk kemi ndërmarrë masa të posaçme përpos shkallës së lartë të gatishmërisë dhe të gjendjes së gatishmërisë në monitorimin e këtij procesi”, tha zëdhënësi Senger.
Forca paqeruajtëse KFOR, policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës janë organizatat kryesore përgjegjëse për sigurinë në Kosovë dhe bartin barrën kryesore të përballjes me sfidat eventuale të sigurisë gjatë përcaktimit të statusit, ndërkohë që vetë krerët e këtyre organizatave kanë kërkuar bashkëpunimin e popullatës në mënyrë që siguria si një aspekt i rëndësishëm të jetë në nivelin e duhur, gjatë përmbylljes së procesit për definimin e statusit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG