Ndërlidhjet

BERISHA: NUK DO TЁ KETЁ KRIZЁ QEVERITARE


Zijadin Gashi

Kosova nuk do të zhytet në krizë qeveritare dhe nuk ka indikacione se zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ndarja e saj në dy parti politike, mund të destabilizojnë institucionet e Kosovës, ka pohuar sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Këto komente, kryeparlamentari Berisha i bëri pas një takimi që zhvilloi me një delegacion të Senatit Belg, të kryesuar nga senatori Frank Rolants du Viver, udhëheqës i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë dhe Mbrojtje. Berisha tha se nuk ka disponim te asnjë parti politike që të destabilizojë Qeverinë aktuale në këtë fazë të vendimit për statusin e Kosovës.
“Nuk shoh një rrezik të tillë. E kam thënë edhe më herët se edhe pjesa që është formuar tash si parti e re është pjesë shqiptare, dhe besoj se është e vetëdijshme për çdo veprim që bën. Ata janë deklaruar se nuk do të ketë tentime të tilla dhe jam i bindur se nuk do të ketë krizë qeveritare. Ne do të shkojmë me këtë qeveri deri në zgjedhjet e reja dhe do të përpiqemi së bashku t’i zgjidhim të gjitha këto çështje”, tha kryeparlamentari kosovar, Kolë Berisha.
Në anën tjetër, senatori belg François Rolants du Viver, tha se Kosova ka një të ardhme evropiane dhe ajo do të jetë një ditë pjesë e Bashkimit Evropian, mirëpo, për të arritur këtë, Kosovës i mbetet për të plotësuar shumë standarde evropiane, sidomos në fushën e legjislacionit. Ndërkaq, duke u ndërlidhur me procesin e statusit të Kosovës, senatori belg tha se Belgjika do të ketë një rol aktiv në këtë çështje, dhe për faktin se ky vend do të marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Sigurimit gjatë qershorit, kur edhe mund të pritet vendimi lidhur me statusin. Deri atëherë, ai tha se Ahtisari pritet të merret vesh me palët lidhur me propozimin e tij për statusin.
“Jemi në pritje të propozimit të Ahtisarit dhe mendojmë se nuk duhet të ketë shtyrje të tjera lidhur me këtë propozim dhe presim që gjërat të vazhdojnë tutje, pa nxitime, por edhe pa vonesa të reja”, tha senatori Rolantns du Viver. Sipas tij, edhe pas propozimit të Ahtisarit mund të ketë një raund të ri negociatash, i cili nuk do të jetë i gjatë. Por, shtoi ai, komuniteti ndërkombëtar do të vlerësojë dhe nëse nuk ka rezultate nga këto negociata, do të marrë vendimin përkatës.
Ndryshe, delgacioni nga Senati i Belgjikës ka takuar edhe Komisionin parlamentar për komunitete në Kuvendin e Kosovës. Senatorët belgë kanë potencuar faktin se Belgjika dhe Kosova kanë një bashkëpunim të ngushtë, sidomos me Kuvendin e Kosovës me të cilin ka dhe një marrëveshje bashkëpunimi.


XS
SM
MD
LG